“Heshtja” e Policisë së Kosovës për konkursin gradimin e policëve në ‘Rreshter’, IPK mbetet duke pritur komentet kthyese

Policia e Kosovës ndër vite është renditur si një prej institucioneve më të besueshme në vend. Besueshmëria që ka arritur të krijojë institucioni në fjalë sigurisht se është arritur falë angazhimit të secilit prej zyrtarëve policor të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre aty çdo ditë. Muaj më parë në kuadër…

Lajme

17/06/2024 14:03

Policia e Kosovës ndër vite është renditur si një prej institucioneve më të besueshme në vend.

Besueshmëria që ka arritur të krijojë institucioni në fjalë sigurisht se është arritur falë angazhimit të secilit prej zyrtarëve policor të cilët kanë kontribuar dhe vazhdojnë të japin kontributin e tyre aty çdo ditë.

Muaj më parë në kuadër të Policisë së Kosovës është hapur konkursi për gradimin e zyrtarëve të policisë në gradën e rreshterit.

Policët të cilët kishin aplikuar për gradim janë në pritje për fazat e tjera testuese, pasi deri më tani është kryer vetëm testimi me shkrim.

Në këtë konkurs kanë marrë pjesë gjithsej 1 mijë e 749 zyrtarë. Nga ky numër i zyrtarëve policorë, 1 mijë e 481 e kanë kaluar testimin me shkrim.

Në kuadër të gradimit për rreshter, nga Policia e Kosovës ishte bërë e ditur se janë gjithsej 350 pozita të lira për gradën ‘Rreshter’.

“Bazuar në analizën dhe nevojat policore sipas strukturës organizative të PK-së, të bërë para fillimit të procesit janë mbi 350 pozita të lira për gradën rreshter”.

Edhe pse pritej që tashmë të vazhdohej me fazat e tjera të testimeve, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Procesi i gradimit të zyrtarëve policorë në rreshter ka ngecur.

E gjithë kjo sepse procesi i testimit me shkrim është kritikuar se u ndërtua dhe u zhvillua mbi “dallavere” të shumta.

“Shkelje rregulloresh, favorizim i kandidatëve, lejim i kopjimit, telefona në sallë”, kësisoj është përshkruar dita e testimit që është zhvilluar në objektin e Fakultetit Teknik të Universitetit të Prishtinës.

Në mesin e këtyre shkeljeve që theksohet të jenë bërë në procesin e testimi për gradim është se Policia e Kosovës dyshohet për favorizim të një prej gjeneratave, që në bazë të ligjit nuk plotëson kushtet për pjesëmarrje në gradim për ‘Rreshter’. Sipas dyshimeve të para gjenerata 54 janë zyrtarizuar në vitin 2022 si policë të lartë, e kësisoj bien në kundërshtim me udhëzimin administrativ për gradim.

Nga policët pjesëmarrës në këtë testim ka patur ankesa të shumta edhe për kopjim, e disa prej tyre thuhet se ishin aq të privilegjuar sa vetëm kanë hyrë në sallë janë pajisur me testin dhe kanë dalë e më pas të plotësuara i kanë pasur të gjitha përgjigjet.

Konkursi për gradën ‘Rreshter’ në kuadër të Policisë së Kosovës nuk ishte hapur për tetë vite.

Në lidhje me këtë çështje, lajmi.net ka kontaktuar edhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

Nga Inspektorati Policor i Kosovës është thënë se janë duke realizuar inspektimin mbi “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter” dhe se tashmë kanë përgatitur Draft raportin e inspektimit.

Gjithashtu është thënë se ky dokument me gjetje dhe rekomandime i është drejtuar Policisë së Kosovës.

“IPK ka realizuar inspektimin mbi “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter” dhe tashmë ka përgatitur Draft raportin e inspektimit. Ky dokument me gjetje dhe rekomandime, konform rregullave të brendshme, i është drejtuar Policisë së Kosovës për dhënien e komenteve. Deri në këtë fazë ende nuk kemi pranuar komentet kthyese nga struktura policore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Po ashtu është theksuar se “në momentin që pranohen ato bëhen pjesë e Raportit final të inspektimit dhe më pas ky Raport publikohet”.

Pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të lajmit që Policia e Kosovës të bëjë të ditur nëse kanë kthyer tashmë komentet tek Inspektorati, këta të fundit kanë zgjedhur që të “bien në heshtje”.

Nga Policia e Kosovës që nga publikimi i shumë ankesave nuk janë deklaruar më farë në lidhje me këtë proces, të cilin po e lënë “varur”.

Ky konkurs po kërkohet të anulohet dhe të nisin hetimet për të.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, ka kërkuar që Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit të nisnin hetimet që të anulohet ky konkurs.

“Komisioni që e udhëheq konkursin konkret është dashur që t’i eliminojë të gjitha aplikacionet që nuk i kanë plotësuar kushtet për aplikim. Kushti për aplikim ka qenë dy vjet pune. Nëse ai nuk e ka edhe një ditë, ai duhet me u përjashtu nga e drejta për konkurrim. Për mua është edhe më shqetësues rasti që kanë dalë testet. Kjo është shumë shqetësuese. Kështu duhet IPK-ja së bashku me Prokurorinë të intervenojnë, të bëjnë hetime dhe të vërtetojnë faktin se nga dolën ato teste. Ku bash siç tha edhe zonja (gazetarja Doruntina Bylykbashi) kështu bash tek djemtë e komandantëve… Këtu ka vend për prokurorinë dhe IPK-në me kusht që të anulohet ky konkurs për shkak të shkeljeve esenciale me pranimin e aplikacioneve dhe me daljen e testeve tek kandidatët”, ka thënë Hasani në RTV Dukagjin.

Rrjedhjen testit e ka cilësuar si skandaloze Hasani, teksa ka ritheksuar se ky konkurs duhet të anulohet.

“Duhet të anulohet konkursi, sepse i ka dhënë mundësinë personave që nuk i kanë plotësuar kushtet, plus edhe më skandaloze dalja e testit, kështu të dyja bëjnë që IPK-ja dhe Prokuroria të anulojnë këtë konkurs dhe të bëjnë hetime sesi kanë dalë testet te kandidatët”, ka shtuar Hasani.

Edhe ish-nënkoloneli i Policisë, Refki Morina, ka kërkuar që IPK-ja të nis hetimet dhe të vërtetohen raportimet, që ky konkurs të rikthehet në pikën zero.

Testimi i 4 majit për gradimin e policëve të Kosovës nga “Polic i lartë” në “Rreshter” vazhdon të jetë ende i çakorduar pasi instancat të cilat do të marrin vendim për këtë konkurs nuk janë deklaruar ende se cili në fakt do të jetë vendimi final i tyre.

Konkursi që nuk u hap 8 vite duket se do të dalë edhe më problematik se që kishin mundur të imagjinonin zyrtarët policorë të Kosovës./Lajmi.net/