Heroi quhet Lewandowski – Bayern merr tri pikë të mundimshme kundër Paderborn

Bayern Munich ka shënuar një fitore shumë të vështirë, në përballjen me Paderborn.

Sport

21/02/2020 22:22

Në kuadër të xhiros së 23-të në Bundesliga, në ‘Allianz Arena’, Bayern Munich ka marrë tri pikë kundër Paderborn, në një dramë ku Bayern humbi dy herë epërsinë, por gjente forcë të kthehej.

Bavarezët ka fituar 3:2 ndaj skuadrës së Paderborn, duke bërë që të sigurojnë kreun e tabelës edhe për këtë xhiro.

Golin e parë në këtë takim e shënoi Serge Gnabry, kur në minutën e 25’ shfrytëzonte asistimin e dhënë nga Corentin Tolisso, shkruan lajmi.net.

Mysafirët reaguan me anë të Dennis Srbeny, një minutë para fundit të pjesës së parë.

Robert Lewandowski u përkujdes që të rikthente eprësinë e Bayern, duke tundur rrjetën e kundërshtarit në minutën e 70’.

Pesë minuta më vonë, mysafirët befasuan përsëri, duke shënuar me anë të Steven Michel, por këtu nuk përfundoi drama.

Në skenë u shfaq përsëri Lewandowski, duke shënuar për 3:2, dy minuta para fundit të kohës së rregullt, shkruan lajmi.net.

Goli i polakut ishte vendimtari i këtij takimi, duke bërë që ai të marrë epitetin ‘heroi i mbrëmjes’.

Me këtë fitore, Bayern numëron 49 pikë në pozitën e parë në Bundesliga, kurse Paderborn mbetet në pozitën e fundit me 16 pikë. /Lajmi.net/