Heroi i ujërave Ismail Kasumi, i gatshëm të udhëheqë seancën e parë të Kuvendit të Kosovës

Partitë politike u kanë servuar qytetarëve të Kosovës figura të ndryshme për të qenë përfaqësues të tyre në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Kosovës. Personalitete të moshave dhe profesioneve të ndryshme synojnë të bëhen të besuarit e qytetarëve në institucionin ligjvënës.

Lajme

09/02/2021 19:10

Ish-zhytësi më me nam në Kosovë, Ismail Kasumi, 72 vjeçar, i është futur garës zgjedhore në radhët e LDK-së. Ai, mund të jetë deputeti më i vjetër në moshë në Kuvendin e Kosovës, raporton lajmi.net.

Kasumi, ka treguar gatishmëri për të udhëhequr seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës, nëse ai do të jetë deputet i saj dhe më i moshuari.

Ai, për lajmi.net ka bërë të ditur ku do të jetë fokusi i tij, në rast se merr votat e mjaftueshme për të qenë deputet.

“Pika jem kryesore është rinia, me zhdukë korrupsionin, me aftësua shkollimin, punësimin e të rinjve dhe këto. Sporti do të jetë një prej ndër temat kryesore që do ta bisedojë sepse kjo Kosovë ka nevojë për rinj, ka nevojë për Sport. Sporti është një segment i tillë që lidhë shumë gjëra”, është shprehur ai.

Kasumi, për vite të tëra si zhytës, ka arritur të nxjerr 550 trupa të pa jetë nga ujërat e Kosovës./Lajmi.net/