Hernandez kërcënon Benzeman

Përforcimi i ri i Real Madidit, Javier Hernandez ka insistuar se është i gatshëm të luftojë me Karim Benzeman për një vend në formacionin bazë.

Sport

10/09/2014 21:18

Javier ‘Chicharito’ Hernandez ka insistuar se nuk iu bashkua Real Madridit për të qëndruar në bankinë.

Sulmuesi meksikan erdhi në Santiago Bernabeu në huazim njëvjeçar nga Manchester United për të shtuar opsionet në repartin ofanziv të Los Blancos pas shitjes së Alvaro Moratas në Juventus.

Dhe, Hernandez dëshiron të luftojë për një vend në formacionin bazë më francezin Karim Benzema, duke konsideruar se Gareth Bale dhe Cristiano Ronaldo janë titullarë të pazëvendësueshëm në ekipin e Carlo Ancelottit.

“Askush nuk stërvitet për të qenë mbulesë. Jam futbollist dhe ekzistojnë 11 titullarë, andaj ata që mbesin jashtë gjithmonë presin një shans”, deklaroi Hernandez për “Neox TV”.

“E di se do të ballafaqohem me Benzeman, diçka si kjo më ndodhi edhe në United. Por, do të luftoj për një vend”, u shpreh ai.

Hernandez mund të debutojë për Realin kundër Atletico Madridit të shtunën.