Hereqi kundër Mimozës

Propozimi i Kryetares së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, për ndërtimin e banesave kolektive, për banorët e komunitetit rom, egjiptian dhe shkali, në fshatin Hereq, ka gjetur mospëlqimin e banorëve të këtij fshati. Personat që qe vendosur se do të banonin në këto banesa, aktualisht jetojnë në Mal të Zi.

Lajme

11/05/2014 20:55

Mospëlqimi i banorëve vjen për shkakun se ata besojnë se disa individë mund të jenë të përfshirë në krime lufte. Ata për këtë gjë kanë nënshkruar edhe një peticion.

Banori i Hereqit, Isni Aliaj thotë për KTV se këta persona nuk janë të mirëseardhur në fshatin e tij, sepse dyshohet se disa prej këtyre personave kanë kryer krime lufte.

“Më së pari ata nuk janë banorë të këtij fshati po janë banorë të Kosovës, Malit të Zi dhe Serbisë. Ata nuk janë të mirëseardhur në fshatin tonë. Ne si fshat kemi mbi 50 dëshmorë dhe viktima të luftës”.

“Ndër ta ka edhe individë që kanë marrë pjesë në luftë dhe kanë bërë masakra këtu. Ne nuk e pranojnë këtë si fshat, jo se jemi kundër komuniteteve tjera, po nuk janë të mirëseardhur në fshatin tonë”.

Po të njëjtin mendim ka edhe banori Nuredin isufaj.

“Ne e kemi thënë se ata nuk janë të mirëseardhur për arsye se nuk janë banorë të këtij fshati. Dyshojmë se kanë kryer krime lufte”, ka ai për KTV.

Për shkak të këtij mospëlqimi të banorëve të Hereqit, Kryetarja Kusari-Lila është detyruar që të kërkojë një lokacion tjetër për ndërtimin e banesave kolektive.