Heqja e akreditimit, flet sekretari i Kolegjit “Iliria”: Kemi studentë të suksesshëm

Sekretari i Kolegjit “Iliria”, Arbër Reci, ka deklaruar se kolegji të cilin ai përfaqëson ka plotësuar kriteret e udhëzimit administrativ për akreditim të universiteteve.

Lajme

16/07/2019 21:30

Në RTV Dukagjini, Reci u shpreh se Kolegji “Iliria” ka nxjerrë kuadro të suksesshme.

“Në Kolegjin Iliria ka shumë studentë të cilët kanë diplomuar dhe janë shumë të suksesshëm në tregun e punës në vend dhe në atë ndërkombëtar. Neve na kanë vlerësuar 30 deri në 40 ekspertë brenda tri viteve”, ka thënë Reçi.

“Ne i plotësojmë kriteret sipas udhëzimit administrativ”, ka deklaruar sekretari i Kolegjit “Iliria”.

Në një reagim për media të hënën, Kolegji ILIRIA ka shprehur keqardhje për vendimin e KShC-së, cilin e ka cilësuar si të papërgjegjshëm “që pa arsye, kanë shqetësuar studentët, profesorët dhe opinionin publik”.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë tërhoqi akreditimin për Universitetin e Mitrovicës dhe dy universitete të tjera publike, ato Pejës dhe të Prizrenit, në një vendim të publikuar të hënën.

KShC, i cili vepron në kuadër të Agjencisë së Akreditimit, vendosi që në bazë të raporteve të ekspertëve ndërkombëtarë, t’u tërhiqet akreditimi për vitin akademik 2019/2020, Universiteteve Publike; “Ukshin Hoti” në Prizren, “Isa Boletini” në Mitrovicë dhe “Haxhi Zeka” në Pejë.

Sipas këtij vendimi, këto universitete nuk mund të regjistrojnë studentë të rinj për këtë vit akademik, ndërsa vazhdon mësimi për studentët që tashmë janë në vitin e dytë dhe të tretë të studimeve.