Henry: Goli i Ronaldos, jo i Hernandezit
Thierry Henry ka thënë se meritori kryesor për fitoren e Real Madridit ndaj Atletico Madridit ishte Cristiano Ronaldo, e jo realizatori i golit të vetëm, Javier Hernandez.

Sport
Thierry Henry ka kritikuar sulmuesin e Real Madridit, Javier Hernandez për mënyrën si e festoi golin e fitores 1:0 ndaj Atletico Madridit.
Sulmuesi meksikan shënoi golin e vetëm të ndeshjes që e kualifikoi Realin në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Por, Henry nuk e ka pëlqyer mënyrën e festimit të Hernandezit.
“Ka festuar sikurse të kishte fituar Kampionatin botëror”, deklaroi ish sulmuesi i Arsenalit e Barcelonës për “Sky Sports”.
“Ka luajtur kundër Atleticos, por tani nuk e di më se kur do të jetë sërish në fushë. Duhet t’i falënderohet Ronaldos, është ai që e ndryshoi rrjedhën e lojës. Goli, në realitet është i portugezit”, shtoi francezi duke aluduar në asistimin e Ronaldos që i mundësoi Hernandezit të shënonte gol.
“Ia pasoi topin vetëm për shkak se ishte në një pozitë më të mirë, më të lehtë për të shënuar. Hernandez u desh vetëm ta dërgonte brenda, por më pas u desh të kthehej për ta falënderuar Ronaldon”, u shpreh Henry.