Hendbolli synon pranimin e plotë

Federata e Hendbollit të Kosovës ka lobuar për t’u pranuar me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Hendbollit, pas takimit të organizuar nga kjo e fundit në Budapest të Hungarisë.

Sport

04/05/2014 16:38

Federata e Hendbollit të Kosovës (FHK) po punon me të gjitha forcat që të pranohet me të drejta të plota në Federatën Evropiane të Hendbollit (EHF).

Drejtuesit e FHK-së qëndruan të shtunën dhe të dielën në Budapest të Hungarisë, ku u mbajtën punimet e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të EHF-së.

Palën kosovare e përfaqësuan kryetari i FHK-së, Eugen Saraçini dhe sekretari i përgjithshëm, Izet Gjinovci.

Ata e shfrytëzuan ndër të tjera këtë mbledhje për të lobuar rreth pranimit me të drejta të plota në EHF.

Ata patën takime me zyrtarë të lartë të EHF-it, si presidentin Jean Brihault, nënkryetarin Arne Elovson dhe sekretarin e përgjithshëm Michael Wiederer, por edhe me homologët nga federatat tjera evropiane, nga të cilët u kërkua që vota e tyre të jetë pozitive në Kongresin e Dablinit, për anëtarësim të plotë të FHK-së në EHF.