Hekurudha Prishtinë-Durrës, një milion euro për studimin e fizibilitetit

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka bërë të ditur sot se janë në përfundim të planit për hekurudhën Prishtinë-Durrës, e cila sipas tij do ta vendosë Kosovën në qendër tranziti rajonal për mallrat.

Lajme

09/12/2021 12:35

Në një konferencë për media, Aliu tha se pas memorandumit të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe vizitës në Itali, kjo hekurudhë po e merr rrugën e vet.

Ai tha se shumë shpejt do të bëhet studimi i fizibilitetit ku del në pah koha, kosto dhe traseja e hekurudhës.

“Ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza kur mund të hartojmë planin, i cili përfundon shpejt dhe do të na jep qartë afatet kohore dhe koston për këtë projekt. Pas studimit të fizibilitetit do të jetë e qartë edhe traseja e kësaj hekurudhe. Ne kemi ndarë 1 milion euro për këtë studim,” tha ai.

Ndryshe, për qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës, hekurudha e planifikuar Durrës-Prishtinë ka edhe rëndësi gjeopolitike, jo vetëm ekonomike.

Kryeministri Albin Kurti pati deklaruar se linja hekurudhore Durrës- Prishtinë “është sa e një rëndësie ekonomike po aq edhe gjeopolitike, pasi ndihmon edhe rajonin, fqinjët tanë, me të cilët kemi të kaluar të përbashkët, por edhe do të ndajmë të ardhmen”.