Hedhësit e mbeturinave në hapësirat publike do të dënohen nga 5 deri 100 euro

Janë të shumta rastet kur qytetarët hedhin mbeturina të ndryshme në hapësirat publike, rrugët dhe sheshet tona, por të pakta janë rastet kur ata janë gjobitur për këtë vepër. Ndotja e mjedisit është shkelje ligjore dhe vepër e cila ndëshkon me gjobë secilin shkelës.

Lajme

24/01/2016 09:58

Për këtë qëllim Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka nxjerrë Udhëzim Administrativ për Ndëshkimet me gjoba mandatore, i cili tashmë edhe ka hyrë në fuqi.

Ky Udhëzim Administrativ, ka për qëllim parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara. Me anë të këtij UA përcaktohen procedurat për shqiptimin e ndëshkimeve me gjoba mandatore personave fizik dhe juridik të cilët dëmtojnë mjedisin duke hedhur mbeturinat jo në vendin e duhur.

MMPH nëpërmjet një komunikate thotë se me këtë Udhëzim Administrativ nuk ka qëllim dëmtimin e qytetarëve me gjoba, por kjo do të jetë një formë e parandalimit të ndotjes së mjedisit, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit publik përmes vetëdijesimit të qytetarëve dhe administrimit të drejtë të mbeturinave.

Gjobat kategorizohen nga 5 euro deri në 100 euro, varësisht nga dëmi që i bëhet mjedisit, ku gjoba më e lartë do të shqiptohet për hedhjen e çfarëdo lloj mbeturine në ujëra të përroskave, lumenjve, liqeneve ose sipërfaqeve të tjera me ujë.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka lëshuar një Qarkore, me anë të së cilës kërkon nga kryetarët e të gjitha komunave të Kosovës, që konform kompetencave dhe detyrimeve ligjore, të përmbushin detyrimeve ligjore, që dalin nga legjislacioni në fuqi në fushën e Mjedisit, në mënyrë që të ketë përmirësime të gjendjes mjedisore në çdo komunë.

Në letër theksohet se duke u bazuar edhe në kërkesat e vazhdueshme që dalin nga Raporti i Progresit dhe ankesat dhe shqetësimet e qytetarëve, del si domosdoshmëri që të bëhet një bashkërenditje dhe koordinim i veprimeve në drejtim të Implementimit të Ligjeve në fuqi.

Përveç çështjeve që specifikohen në Ligjet bazike në sferën e Mjedisit, Ministri Agani në letrën e tij dërguar kryetarëve të ko munave, kërkoi që t’i jepet përparësi pikërisht zbatimit të këtij Udhëzimit Administrativ, Ndëshkimet me Gjoba Mandatore.

Edhe pse zbatimi mbetet sfide e çdo legjislacioni, ndjekjen e zbatimit tëkëtij UA nuk duhet ta presim vetëm nga inspektorati i MMPH-së, por ky UA mund të gjejë zbatim me aktivizimin më të madh të inspektoratit komunal të mjedisit në çdo komunë të Kosovës dhe me ndihmën permanente të Policisë së Kosovës e cila obligohet të ndërmerr masa dhe të zbatoj dispozitat e Ligjit për Mbeturina dhe dispozitate këtij Udhëzimi.

Autoritetet kompetente të cilat e bëjnë shqiptimin e ndëshkimit me gjobë mandatore sipas dispozitave të këtij Udhëzimi, përmes organeve të tyre udhëheqëse obligohen të raportojnë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për numrin, veprimin e ndëshkimeve me gjobë mandatore dhe për vlerën e tyre në të holla. Mjetet financiare që paguhen për këto gjoba derdhen në buxhe tin e shtetit.

Në lidhje me këtë Udhëzim Administrative, MMPH do të bëjë sensibilizimin e opinionit, njoftimin e qytetarëve me nivelin e gjobave për hedhjen e mbeturinave në mjedis të hapur./lajmi.net