Haziri, vendimi i Kushtetueses s’e ka lëkundur bllokun

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk ia lejoji pozitën e kryeparlamentarit Isa Mustafës, nuk e ka lëkundur koalicionin pas zgjedhor LDK-AAK-Nisma.

Lajme

28/08/2014 19:03

Haziri në InfoMagazinë të KlanKosovës ka thënë se vendimi do të ishte i pranueshëm në çfarëdo forme që do të vinte.

Sipas tij, shuplaka që vjen sot nga Berlini për kryeministrat tregon se korrupsioni nuk ka të bëjë vetëm me krimin e organizuar por edhe me ndërtimin e shtetit në forma korruptive.

“Vendimi ka konstatuar një kërkesë të një grupi politik për ne të pafavorshme. Kemi besuar se do të jepet përgjigje e saktë për gjendjen e krijuar”, tha ai.

“Nuk shoh qe është lëkundur blloku. Kemi hyrë me vetëdije, ani pse mendime ka të ndryshme. Kolegët që shprehin pak më ndryshe e rrugë më unike qëllimin e kanë pasur të njëjtë, që vendit t’i japin një ndryshim, jo për inati të zotëri Thaçit, por për shkak të gjendjes sonë”.

“PDK duhet me e lënë çdolloj inati anash. Shuplaka e sotme e Berlinit që vjen ku kryeministrave ia përplasi në fytyrë gjendjen. Tregon që korrupsioni nuk ka të bëjë vetëm me krim të organizuar. Ka të bëjë edhe me ndërtim të shtetit në forma korruptive. Dhe, ulja në tavolinë dhe dalja nga kjo situatë tregon pasurinë e demokracisë tonë dhe këtë pasuri e tregojnë liderët tonë”, u shpreh Haziri.

Sipas kryetarit të Gjilanit, vendimi i Kushtetueses lë rrugë dhe mundësi për zgjidhje politike, por nuk lë fort shteg edhe për zgjedhje, që është njëra nga brengat kryesore të popullatës, teksa ka thënë se është i vetëdijshëm për përzgjedhjen e anëtarëve të kësaj gjykate nga 120 deputetë.