Haziri: Sot është shuar një familje e cila ka qenë shumë e ndershme

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme pas vrasjes së shumëfishtë që ka ndodhur në këtë qytet.

Lajme

18/02/2020 16:38

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka deklaruar se është tronditur nga lajmi për shuarjen e familjesh pesë anëtarëshe në lagjen Bujana të këtij qyteti.

Hairi në këtë konferencë ka deklaruar se kjo familje ka qenë shumë e ndershme dhe e respektuar nga të gjithë.

“Është tronditëse lajmi që sot në mesditë në Gjilan ka ndodhur, jo vetëm familja Bllaca dhe lagja Bujana, por i gjithë Gjilani është në ditë zie. Tragjedia që po kalojmë është në hetime zbardhja e rastit nga organet e shtetit. Prokurorët, forenzika, policia janë duke e zbardhur këtë rast. Ju kisha lutur që sot të raportoni gjithçka ashtu siç deklaron prokuroria e shtetit. Kjo është tragjedia më e madhe që mund t’i ndodh çdokujt dhe për ne sepse kanë qenë familje e ndershme, por që jeta dhe problemet që ka pasur në këtë rast mund të përballohet vetëm me solidaritet dhe se zbardhja e këtij rasti mund të na çliron nga kjo dhimbje e madhe që sot Gjilani e ka”, deklaroi Haziri, raporton lajmi.net.

Ai ka thënë se do të shpall edhe ditë zie në ditën që do të varrosen pesë anëtarët e familjes Bllaca.

“Kom propozuar një ditë zie në nderë të familjes Bllaca. Prokuroria dhe hetuesia do të zbardhin problemet që kanë çuar deri në këtë tragjedi dhe është e vetmja udhë që mund të zbardhen detaje. Por kjo familje ka qenë shumë e respektuar dhe shumë e ndershme. Dita e zisë do të varet nga institucionet e tjera, por ne mendojmë që dita e zisë të lidhet me ditën e varrimit”, theksoi Haziri. /Lajmi.net/