Haziri: S’guxojmë ta rrezikojmë dialogun me këtë mbështetje amerikane
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen e saj ndaj dialogut me Serbinë.

Lajme
Haziri me anë të një postimi të gjatë në Facebook ka thënë se nëse nuk ka përkushtim serioz ndaj procesit të dialogut, ekziston rreziku i krizave rajonale që mund të kenë impakt në ngadalësimin e këtij procesi, shkruan lajmi.net.
“Jemi në një proces i cili kërkon përkushtim të madh dhe rreziku më i madh është që mos përfshirja me seriozitet dhe lidership në këtë proces të dialogut, sepse frika më e madhe është nga krizat rajonale dhe ato mund të kenë impakt shumë të madh në ngadalësim dhe ngulfatje të këtij procesi, i cili për ne është jetik, për shkak se integrimet euro-atlantike janë drejtim i vetëm për të cilin Kosova e sheh mundësinë politike që ta përfundojë shtet-ndërtimin për të qenë i barabartë me shtete tjera sovrane”, ka shkruar Haziri.
Nënkryetari i LDK-së ka thënë se Qeveria e ka mbështetjen e opozitës për procesin e dialogut, mirëpo që të njëjtën siç shprehet ai “nuk mund ta ketë pa fund”.
Sipas tij, letra e presidentit amerikan, Joe Biden duhet të merret seriozisht dhe kërkesat e amerikanëve duhet të merren për bazë.
“Kjo kohë e pritjes për zgjedhjet në Serbi duhet të shfrytëzohet me aktivizimin e dialogut të brendshëm, të partive parlamentare dhe jashtë parlamentare, duke përfshirë edhe shoqërinë civile në mënyrë që të përgatitemi sa më mire”, ka shkruar ai.
Postimi i plotë i Biden:
Kjo Qeveri e ka filluar me hezitime qasjen ndaj dialogut me Serbinë. Faktikisht, as nuk po shkakton dialog, as nuk po ndërton ekipe apo mekanizma mbështetës e as nuk po kërkon që dialogu ta ketë formatin e një procesi i cili duhet të përmbyllet në një afat kohor.
Jemi në një proces i cili kërkon përkushtim të madh dhe rreziku më i madh është që mos përfshirja me seriozitet dhe lidership në këtë proces të dialogut, sepse frika më e madhe është nga krizat rajonale dhe ato mund të kenë impakt shumë të madh në ngadalësim dhe ngulfatje të këtij procesi, i cili për ne është jetik, për shkak se integrimet euro-atlantike janë drejtim i vetëm për të cilin Kosova e sheh mundësinë politike që ta përfundojë shtet-ndërtimin për të qenë i barabartë me shtete tjera sovrane.
Kjo shumicë parlamentare e ka mbështetjen e opozitës sa i përket çështjes së dialogut, por kjo mbështetje nuk është pafund. Nuk mund të themi që e mbështesim hezitimin e mos besimin e tyre. Ne e mbështesim lidershipin e Qeverisë që të jetë këmbëngulëse, e qëndrueshme, kreative dhe të mos e kushtëzojë procesin e dialogut me çështje të cilat janë sekondare.
Letra e Presidentit Biden, e konfirmuar nga Sekretari amerikan i shtetit, në Prishtinë duhet të merret seriozisht dhe pala jonë duhet t’i trajtojë seriozisht kërkesat e tyre, sikur që Serbia tashmë e di se marrëveshja përfundimtare është me njohje reciproke.
Por, krizat regjionale që janë prodhuar tash e që janë ndikim indirekt në Ballkanin Perëndimor mund ta rrezikojnë procesin seriozisht. Ne nuk guxojmë në asnjë mënyrë të rrezikohet procesi me këtë mbështetje amerikane dhe me ndërmjetësimin e BE-së që e kemi. Qeveria duhet të tregojë lidership dhe seriozitet, në mënyrë që të zbatojë obligimet që i ka, ta merr përsipër dialogun dhe agjendën, të shtyjë përpara këtë proces dhe, natyrisht, një konsensus sa më gjithëpërfshirës.
Kjo kohë e pritjes për zgjedhjet në Serbi duhet të shfrytëzohet me aktivizimin e dialogut të brendshëm, të partive parlamentare dhe jashtë parlamentare, duke përfshirë edhe shoqërinë civile në mënyrë që të përgatitemi sa më mirë. /Lajmi.net/