Haziri: Rugova ishte një hap para të gjithëve
Komuna e Gjilanit ka organizuar një akademi përkujtimore me rastin e nëntëvjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Lajme
Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri tha se sot në Gjilan po nderohet figura e Presidentit të Republikës, i cili njihet edhe si themelues i shtetit të pavarur të Kosovës.
“Unë kam pasur rastin të punoj me presidentin Rugova si i ri, por dua ta them edhe një fakt se gabojnë të gjithë ata që thonë se kam qenë koleg i Ibrahim Rugovës. Ne kemi qenë veprimtarë qe kemi zbatuar politika dhe pjesë të vizionit të Ibrahim Rugovës sepse figura e tij, vizioni i tij, madhështia e tij nuk ka lënë shumë hapësirë as të mendosh shumë e as të debatosh shumë sepse ai ka qenë një hap të madh para çdokujt jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë. Ajo që dallon Ibrahim Rugovën nga politikanët në Kosovë, regjion e Europë është se ai ka qenë me vizion dhe me përkushtim një hap para të gjithëve”, tha Haziri.
Sipas tij, Ibrahim Rugova po të ishte gjallë, sot në Gjilan do të thoshte “gjilanas ndihuni krenarë me Mulla Idriz Gjilanin, sepse sot e 70 vite më herët ai u bë kryengritësi më i madh, ai u bë inspiruesi më i madh, ai u bë shpresa e shqiptarëve. Ai e çoi kushtrimin e madh dhe i ftoi shqiptarët të mos dorëzohen dhe të luftojnë deri në fund për Zot e Atdhe’. Ai do të thoshte që Esat Berisha e Halim Orana kanë qenë intelektualë të mëdhenj të kohës, që Gjilani duhet të krenohet dhe që regjimi i atëhershëm i pasluftës i mori sepse nuk donte të ketë lider, udhëheqës e intelektual në mesin e shqiptarëve. Ai do të thoshte bëhuni krenarë me Idriz Seferin sepse e ka lënë amanet kushtrimin e Kosovës, e ka liruar kryeqytetin e Vilajetit të Kosovës, ka bërë thirrje dhe ka qenë kryengritës i madh i Pavarësisë së Shqipërisë”, tha Haziri, transmeton KosovaPress.