Haziri: Nuk bashkëqeverisim me LVV-në në Gjilan, do të jemi opozitë agresive

Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan është deklaruar kundër një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje për udhëheqjen e komunës, pas njoftimit të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, se i kanë ndarë rrugët e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës. Më 31 maj, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni i cili vjen nga radhët…

Lajme

03/06/2023 16:59

Lidhja Demokratike e Kosovës në Gjilan është deklaruar kundër një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje për udhëheqjen e komunës, pas njoftimit të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, se i kanë ndarë rrugët e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike të Kosovës.

Më 31 maj, kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni i cili vjen nga radhët e LVV-së, njoftoi se e ka prishur koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që, sipas tij, kjo parti nuk ishte prezente në tri seanca të asamblesë, duke bërë që ato të dështojnë.

E LDK-ja, përmes një konference të sotme për media, ka thënë se nuk do të hyjë në koalicion me LVV-në në Gjilan, por se do të jetë “opozitë agresive e këtij pushteti që projektet e Gjilanit po i konsideron si të huaja”.

“Zhvillimet në Komunën e Gjilanit kanë qenë të befasishme, por gjithashtu edhe të pritshme nga ana jonë. Kjo për shkak se koalicioni i ndërtuar VV-PDK në Gjilan, nuk ishte ndërtuar në bazë të një programi për Gjilanin e zhvilluar, por për interesa personale e partiake. Dalja e PDK-së nga koalicioni dhe deklaratat e tyre pas daljes nga ky koalicion, tregojnë se mundësia për të bashkëpunuar me të parin e ekzekutivit për të mirën e përbashkët publike, ka qenë minimale apo s’ka ekzistuar fare”, ka thënë kryetari i Degës së LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri.

Ai tha se e rikonfirmon qëndrimin e LDK-së se “jemi opozitarë deri në fund të këtij mandati, duke mos shprehur gatishmërinë për bashkëqeverisje me partinë në pushtet”.

“14 këshilltarët tanë pasqyrojnë shumicën e qytetarëve në Kuvendin Komunal, dhe presim që ky besim qytetar të respektohet nga Kryesuesi i Kuvendit, duke liruar pozitën e të parit të Kuvendit që me legjitimitet i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në të kundërtën, LDK gjatë javës së ardhshme do të fillojë me procedurat e nevojshme për marrjen e mandatit që i takon, në koordinim me partnerët tanë opozitarë dhe partinë e sapo dalë në opozitë”, u shpreh më tej Haziri.

Sipas tij, gatishmëria e LDK-së për të kontribuar në një bashkëpunim që do të sjell politika të mira e zhvillimore për komunën “nuk ka munguar asnjëherë, por gjithmonë në bazë të parimeve të demokracisë, ligjshmërisë dhe politikave të duhura për qytetarët”.