Haziri në iftarin e shtruar në BIK-u bën thirrje për solidaritet e barazi

Bashkësia Islame e Gjilanit, ka shtruar një iftar në këtë qytet, ku ka marrë pjesë edhe kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri.

Lajme

26/05/2019 22:46

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në iftarin e organizuar nga Bashkësia Islame e Gjilanit, ka thënë se thirrje për solidaritet, barazi dhe për sofër plot e ngrohtësi në familjet tona, duhet të na përçojë për 12 muaj dhe për gjithë jetën.

“Jam jashtëzakonisht i nderuar që jam në këtë mbrëmje të veçantë të iftarit, së bashku me kolegët e mi, kryetar të Komunave të Anamoravës, myftiun e Republikës, përfaqësues tjerë politik dhe të korit diplomatik. Lutemi të gjithë që ky Ramazan të na bashkojë të gjithë në festën e madhe të Bajramit. Por,  të mos harrojmë se thirrja dhe obligimi nuk mbyllet me 30 ditë agjërim. Thirrja për solidaritet, barazi dhe për sofër plot e ngrohtësi në familjet tona, duhet të na përçojë për 12 muaj dhe për gjithë jetën”, ka thënë Haziri.

Kurse, kryetari i KBI-së në Gjilan, Naim Aliu, tha se gjatë këtij muaji të Ramazanit, kanë shtruar iftare për të gjitha shtresat e shoqërisë, në veçanti për shtresën e margjinalizuar.

“KBI në Gjilan është e përkushtuar që në të ardhmen ta avancojë bashkëpunimin me të gjithë akterët institucional për një shoqëri të sigurt dhe më prosperuese të vendit. Do të vazhdojmë të jemi promotor kyç të kulturës së bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlerë e trashëguar nga të parët dhe rilindësit tanë. Zoti iu shpërbleftë me të gjitha të mirat e tij. Agjërim të lehtë për të gjithë”, ka thënë Aliu.

Në këtë darkë të iftarit, pos përfaqësuesve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan, kanë marrë pjesë edhe kryetarët e Komunave të regjioni të Anamoravës, myftiu i Republikës, Naim Tërnava, ambasadorët e Shqipërisë e Maqedonisë në Kosovë, ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, lideri i Sanxhakut të Novi Pazarit, Sulejman Ugljanin dhe përfaqësues të tjerë. ​/Lajmi.net/