Haziri: Me Isën kryeministër do ta qeverisim Kosovën

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, njëherësh një nga figurat kryesore të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shprehur kënaqësinë që partisë së tij i ka ardhur dita për të qeverisur me Kosovën.

Lajme

21/11/2014 10:44

“Unë jam me ju që besoni në qeverisjen e LDK-së, për herë të parë pas 15 vitesh sakrificë e kompromise”, ka shkruar Haziri në profilin e tij në Facebook.

“LDK do të punoj për shtet, integrime brendashqiptare, euroatlantike, lëvizje të lirë e prosperitet”, ka thënë Haziri, një ditë pasi lideri i tij, Isa Mustafa vendosi nënshkrimin për bashkëqeverisje së bashku me liderin e PDK-së, Hashim Thaçi.

“Detyra ime sot është ajo që bëjë vazhdimisht: gjilanasi për gjilanasit. Jam i nderuar që më keni dhënë besimin në mënyrë plebishitare në zgjedhjet lokale. Jam i Juaji deri në fund, me Isën Kryeministër”.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka qeverisur me Kosovën së bashku me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës edhe përpara shpalljes së Pavarësisë, por kësaj radhe hendeku i krijuar mes liderëve të dy partive se cili prej tyre do të bëhej kryeministër, Isa Mustafa apo Ramush Haradinaj, ishte i pakalueshëm.