Haziri kundër diskriminimit
Lutfi Haziri premton se nuk do të ketë diskriminim të fshatrave të Gjilanit nën udhëheqjen e tij. Premton qeverisje të pastër.
Lajme
Kandidati i LDK’së për Kryetar të Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka dëgjuar ankesat e banorëve të Kmetovcit për mungesë të infrastrukturës në fshat.
Qytetarët iu ankuan Hazirit për mungesë të infrastrukturës me të gjitha elementet përcjellëse si dhe për nevojën e ndërtimit të një salle sportive për shkollën e fshatit.
Haziri është shprehur se e di gjendjen e rëndë infrastrukturore të fshatit, duke shtuar se pas datës 3 nëntor do të vazhdojnë t’i kryejnë të gjitha punët që kanë mbetur në vitin 2007. Në këtë rast, Haziri ka folur edhe për diskriminimin e Gjilanit në të gjitha aspektet.
“Ky pushtet me bazë ruse i ka dalluar, i ka diskriminuar fshatrat dhe vendbanimet. Ky pushtet i ka lënë njerëzit në vada”.
“A ju duket normale kjo? Sigurisht që jo. Kjo nuk do të ndodhë kurrë në qeverisjen e pastër të Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
“Ne do t’i kryejmë të gjitha punët përnjëherë, e jo siç ka ndodhur me ata që e kanë nisur një kanalizim, kanë shkuar në një vendbanim tjetër për të bërë filma me ndonjë dritë. Jo, jo, ne do t’i kryejmë rrugën, kanalizimin, ujësjellësin dhe ndriçimin publik”, ka thënë Haziri.
“Në vitin e parë ne do t’ua japim farë, plehun, naftën dhe grurin dhe do ta mbulojmë korrjen për ata që e punojnë tokën. Në vitin e dytë, prioritet do të jetë pemëtaria, perimtaria e bletaria, ku qytetarët do t’i kenë të garantuara se do t’i shesin pa problem të gjitha produktet e tyre në operatorët adekuat”, ka thënë Haziri.