Haxhiu reagon për sanksionet e SHBA-ve, ia përmend Haradinajt takimin me Radojiçiqin

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi SHBA-të i futën në listë të zezë krerët dhe anëtarët e bandave kriminale të veriut, përfshirë Zvonko Veselinoviqin dhe Milan Radojiçiqin.

Lajme

08/12/2021 20:40

Haxhiu me anë të një postimi në Facebook ka thënë se sanksionet ndaj të lartëpërmendurve janë lajme të mira për Kosovën, shkruan lajmi.net.

Sipas saj, veriu i Kosovës është problematic jo për shkak të banorëve, por për shkak të grupeve kriminale, që sipas saj kanë pasur edhe mbështetjen e Prishtinës, duke iu referuar takimit të ish-kryeministrit Haradinaj me Milan Radojiçiq.

“Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e kriminalitetit në çdo cep te saj, ndërkaq sanksionet e ShBA-ve mbi këto grupe kriminale tregojnë qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që terrorizojnë qytetarët e asaj ane”, ka thënë Haxhiu.

Postimi i plotë:

Lajm jashtëzakonisht i mirë saksionimi i grupeve të krimit të organizuar në veri të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radojçiq.

E kemi theksuar që moti se veriu është i tillë jo për shkak të banorëve, por sepse është kontrolluar nga grupe të tilla kriminale që nuk kanë pasur vetëm mbështetjen e Beogradit, por edhe të Prishtinës.

Këto grupe kriminale, që hera herës priteshin edhe në zyret e institucioneve tona më te larta, fshihen prapa rezistencës që i bëjnë organeve të rendit për të sjell rend e ligj në atë pjesë të Republikës.

Republika e Kosovës është e përcaktuar qartë në luftimin e kriminalitetit në çdo cep te saj, ndërkaq sanksionet e ShBA-ve mbi këto grupe kriminale tregojnë qartë adresat konkrete të vatrave të kriminalitetit që terrorizojnë qytetarët e asaj ane. /Lajmi.net/