Haxhiu për vrasjen e 35 vjeçares: Sikur Prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti mund të jetë parandaluar

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në oborrin e QKUK-së, ku një 35 vjeçare u vra nga ish-bashkëshorti i saj derisa ishte në ditët e fundit të shtatzënisë. Haxhiu deklaroi se pas takimit që patën me grupin e ngushtë ndërministror, mund të thuhet se janë…

Lajme

01/12/2022 10:17

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është deklaruar në lidhje me vrasjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në oborrin e QKUK-së, ku një 35 vjeçare u vra nga ish-bashkëshorti i saj derisa ishte në ditët e fundit të shtatzënisë.

Haxhiu deklaroi se pas takimit që patën me grupin e ngushtë ndërministror, mund të thuhet se janë duke mbledhur të gjitha informacionet e nevojshme por se për shkak të rastit të ndjeshëm që është nuk mund të deklarohet për secilin detaj.

“Siç e pamë, një grua bashkë me foshnjën e saj që priste ta sillte në jetë, u vra pikërisht përpara objektit të Gjinekologjisë.Ishte një rast i rëndë, i kobshëm, i trishtë dhe ky rast na tregon se sa i shprehur është femicidi që po vret jetë vajzash dhe grashë. Pesë ditë, dy jetë të humbura, dy gra të vrarë nga bashkëshortet e tyre.Me urgjencë kemi mbledhur grupin ndërministror, kemi biseduar për veprimet ndërinstitucionale në lidhje me këtë rast.Sipas informacioneve nga Policia e Kosovës, viktima kishte raportuar në korrik të këtij viti të dyshuarin për dhunë psiqike dhe fizike dhe Prokuroria personin e dyshuar e kishte liruar në procedurë të rregullt.Është një papërgjegjësi institucionale, papërgjegjësi e prokurorit të rastit sepse po bëjmë thirrje që të mbrohen jetët e vajzave.Sikur prokuroria të ishte në krye të detyrës, rasti i tillë mund të jetë parandaluar. Kemi edhe disa informacione të tjera, të cilat për shkak të hetimeve unë nuk mund t’i bëjë të ditura e uroj të më mirëkuptoni për këtë”,tha Haxhiu, shkruan lajmi.net.

Ajo tutje tha se garanton që secili institucion, qoftë nga Qendra për Punë Sociale, Policia dhe të tjerët janë të obliguar të verifikojnë secilin veprim institucional, nga momenti i parë kur është raportuar dhuna ndaj viktimës.

“Gruaja dhe foshnja që priste ta sillte në jetë na tregon se edhe përkundër veprimeve që kemi ndërmarrë kemi edhe shumë punë për të bërë. Rasti i mbrëmshëm nuk guxon që të na zmbrapsë e femicidi të na dorëzojë, por duhet të na bëjë të gjithëve të angazhohemi edhe më fortë për vajzat dhe gratë në Kosovë.As përfaqësuesi nga Prokuroria as nga Gjyqësori nuk kanë qenë të pranishëm, meqë rast do të duhej të kishin më tepër ndërgjegje profesionale e institucionale. Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, hallka që ka dështuar, personi përgjegjës do të japë dorëheqje. Të gjithë që jemi ne në institucione kemi përgjegjësi, por u garantoj që nëse shohim se ka dështuar dikush do të ketë dorëheqje e do të ketë shkarkim. Keni parasysh se dorëheqjet janë kërkuar edhe më parë kur ka dështuar Prokuroria, asnjë dorëheqje e asnjë shkarkim.Kjo neglizhencë, po i inkurajon kriminelët e vrasësit. S’kemi asnjë prokuror e gjyqtar që ka dhënë dorëheqje që s’e ka kryer punën”,shtoi ajo.

Ministrja Haxhiu tha se Ministria e Drejtësisë s’ka të drejtë t’i shkarkojë prokurorët dhe gjyqtarët.

“Ministrja s’ka të drejtë t’i shkarkojë ata. Jo vetëm mbrëmë por edhe sot në vazhdimësi kur po vriten gratë po kërkohet që ministrja të shkarkojë ata, e ministrja ka përfunduar reformën në gjyqësi dhe pritet të votohet në Kuvend. Jam e bindur që kur të përfundojë ajo s’do të ketë më gjyqtarë e prokurorë që s’do të kryejnë detyrën e tyre.Më e vogla është dorëheqja e shkarkimi pas rastit të mbrëmshëm, por këtu vjen në shprehje edhe përgjegjësia penale nëse vërtetohen se personat përgjegjës nuk kanë kryer detyrën e tyre.Kemi edhe informacione të tjera, të cilat për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund t’i bëjë të ditura. Do të ketë raporte, në momentin që do të pajisemi me informacionet e duhura do të kërkojmë edhe nga Inspektorati të verifikohet “,përfundoi ajo./Lajmi.net/