Haxhiu: Për Hotin stabiliteti i karriges është me rëndësi, partitë të japin nënshkrimet për largimin e tij

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit, Avdullah Hoti, se koalicioni qeverisës është stabil.

Lajme

28/09/2020 13:20

Gjatë ditës së sotme, kryeministri Avdullah Hoti, deklaroi se koalicioni qeverisës është stabil dhe se nuk ka nevojë që PDK-ja apo ndonjë parti tjetër të hyjë në qeveri.

Lexo edhe: 

Hoti për përfshirjen e PDK-së në Qeveri: Jemi stabil, nuk kemi arsye të hyjmë në kombinime të tjera

Pas këtyre deklaratave ka reaguar ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, shkruan lajmi.net.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Haxhiu ka shkruar se koalicioni nuk është stabil pasi që në kuvend nuk po mund t’i sigurojë as 61 vota të mjaftueshme për të votuar dhe proceduar ndonjë projektligj.

Sipas Haxhiut, stabiliteti i karriges për Hotin është shumë i rëndësishëm.

Haxhiu ka kërkuar nga partitë e tjera që të japin nënshkrimet e tyre për rrëzimin e qeverisë.

Postimi i plotë i Haxhiut, pa ndërhyrje:

Hoti paska thënë që koalicioni është stabil anipse në Kuvend nuk po i kanë numrat asnjë çështje ta shtyjnë përpara, madje as për projektligjet që sipas tyre janë më të rëndësishme nuk po arrijnë t’i bëjnë 61 vota. Stabiliteti i karrigës është me rëndësi për të.

Hoti nuk ka mbështetje as në Kuvend dhe as nuk ka mbështetje qytetare. Secili kryeministër do të dorëhiqej ose do të kërkonte votëbesim.

Por, Hoti e do shumë pushtetin dhe nuk do ta bëjë asnjërën dhe as tjetrën prandaj duhet sa më parë partitë të japin nënshkrimet për largimin e kryeministrit, i cili jo vetëm që ishte përqafuar me Vuqiqin (siç kuptuam nga Presidenti Trump) i cili ka qenë krah i Millosheviqit e ka bërë gjenocid në Kosovë, por ka përqafuar edhe secilën kërkesë të Serbisë në zotimet e tija. /Lajmi.net/