Haxhiu: Konceptin politik të Kadri Veselit në PDK, duhet ta ndjekin edhe partitë tjera

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka vlerësuar lartë vendimin e shefit të tij, liderit të PDK-së, Kadri Veselit, për të liruar nga detyra të gjithë zyrtarët që janë të ngarkuar me aktakuza.

Lajme

19/06/2019 18:41

Në Klan Kosova, Bekim Haxhiu madje deklaroi se këto veprime siç po bëhen në PDK, duhet të ndiqen edhe nga partitë tjera politike.

”Këtë koncept politik të Kadri Veselit, duhet ta ndjekin të gjitha partitë politike. Është rruga e vetme e domosdoshme që mund të kalojnë partitë politike nëse duan të jenë kredibile”.

”Kjo nuk është asgjë më shumë dhe as më pak sesa koncepti i tij që është parashtruar para elektoratit të PDK-së, dhe qytetarëve të Kosovës. Është një kthesë për Kosovën dhe është një detyrë e domosdoshme nëpër të cilën duhet të kalojmë”.

”PDK dhe Kosova është më e madhe se çdo emër i përveçëm. Këta emra që potencuat janë në vazhdimësi që kanë kontribuar në PDK por tani po flasim për një vizion të ri të Kadri Veselit për qytetarët e Republikës së Kosovës drejt Bashkimit Europian dhe integrimeve euroatlantike”.

Haxhiu pohon se kjo ”fshesë” e Kadri Veselit për të pastruar PDK-në nuk do të krijojë probleme.

”Nuk do të shkaktojë telashe veçse do të rris Partinë Demokratike dhe do të rris besimin ndaj Kadri Veselit. Këtë rrugë duhet ta ndjekin edhe partitë tjera. Ne kemi këtë çështje të konfirmuar, kozmetikë do të ishte deklarimi por jo veprimi. Nëse deklarohet për një çështje por s’është bërë, por ne kemi vendim”.

”Disa e kanë menduar që reformimi i PDK-së ndodh vetëm nëse shkon në opozitë. Kadri Veseli e ka dëshmuar të kundërtën që reformimi ndodh edhe kur je në pushtet. Secili nga ne që e ka dëgjuar platformën politike të Kadri Veselit, është parë një program i qartë.  Këto janë standardet që të tjerët i kanë respektuar në botën demokratike”.

”Po flasim për një reformim të Sistemit të Drejtësisë, për këtë do na duhej ndihma edhe e partive të tjera politike. Ne kemi filluar dhe Parlamenti ka votuar ligjin për pastrimin e figurave zyrtare. Këtu hyn edhe ajo që po e kërkon PSD-ja”.