Haxhiu falënderon Vasfije Krasniqi-Goodmanin: Nuk ka paqe pa drejtësi

Në seancën solemne për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, e cila iu kushtua grave të përdhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, në kuadër të GP të AAK-së, ka folur Teuta Haxhiu.

Lajme

09/03/2020 13:02

Ajo ka thënë se përdhunimet seksuale gjatë viteve 98/99 paraqesin anën më të errët, të një populli të shfrenuar.

“Perdhunimet seksuale gjatë viteve 98/99 paraqesin anën më të errët jo vetëm të një regjimi siç ishte ai
serb, por edhe fytyrën e vërtetë të një populli të shfrenuar për fat të keq. Këto akte makabre lanë plagë të mëdha në vendin tone”, tha ajo. Ajo në seancën ku e ftuar është edhe Vasfije Krasniqi-Goodman, tha se gruaja shqiptare përbën plagën dhe dhimbjen e përjetshme që u pagua për drejtësi. “Femra në Kosovë gjatë kësaj periudhe, mjerisht u bë pjesë e pa ndarë e këtyre akteve çnjerëzore, e kësaj tragjedie të papërshkruar që e përjetoi mbi kurriz e në shpirt Kosova. Duke qenë pjesë e pa ndarë e kësaj tragjedie
kolektive, gruaja shqiptare në fakt përbën plagën e dhimbjen tonë të përjetshme për vet çmimin që padrejtësisht e pagoi në mënyrën më anti njerëzore”, theksoi Haxhiu.

Tutje, deputetja ka porositur për angazhim më të madh institucional. Tha se në vitin 2017, Qeveria e Kosovës

kishte ndarë një buxhet, me të cilin u vu në funksion Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale. “Në vitin 2017, Qeveria e Kosovës, arriti që për shkak të angazhimit tonë të vazhdueshëm dhe kampanjave të pandaluara në fushën e avokimit të të drejtave të grave, në veçanti grave viktima të dhunës seksuale gjatë luftës, arritëm që të ndajmë një buxhet të konsideruar në vitin 2017, ku me këtë buxhet është vënë në funksion Komisioni për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të
Viktimave të Dhunës Seksuale”, tha deputetja Haxhiu.

Në fund, ajo falënderoi Vafije Krasniqi-Goodman. “Nuk ka paqe pa drejtësi. Vasfije, faleminderit qe ishe
zëri ynë, zëri i së vërtetës. Të lumtë për kurajon”, tha në fund të fjalimit. /Lajmi.net/