Haxhi Shala: Janë rreth 300 kërkesa të serbëve për FSK

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, anëtarë të Komisionit Parlamentar për Siguri, kanë zhvilluar debat publik në lidhje me pakon e Projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, me pjesëtarët e komunitetit serb.

Lajme

09/11/2018 16:05

Kryetari i këtij komisioni, Haxhi Shala ka ftuar qytetarët serbë që të aplikojnë në Forcën e Sigurisë së Kosovës që të jenë pjesë e saj e të mos bien pre e kërcënimeve.

“Siç jeni të njoftuar ju disa pjesëtarë serbë e kanë lëshuar FSK-në por s’mund të themi që e kanë lëshu me qejf, ka kërkesa të shumta, janë rreth 300 kërkesa të serbëve për tu bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ne nga komuniteti serb kemi kadetë të rinj dhe toger ajo që është me rëndësi janë duke u përgatitur edhe në NATO edhe në vendet e rajonit”, tha Shala.

Ndërsa, anëtari i këtij komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi tha se zëri i komunitetit serbë nuk përfaqësohet në mënyrë të duhur në Kuvend.

“Pjesëtarët e Listës Serbe kanë hequr dorë nga pjesëmarrja e këtij grupi punues, nga procedimi madje duke mos qëndruar as në sallë. Një abstenim i tillë dhe një diçka që është në interes i qytetarëve serbë në Kosovë unë mendoj së është një mos përfaqësim i interesave të qytetarëve të Kosovës. Do të doja t’i kishit përfaqësuesit që flasin për ju, por rrallë herë depërton zëri juaj në parlament”, tha Selimi.

Ai po ashtu shtoi se ushtria e Kosovës nuk nënkupton luftë, por nënkupton paqe.

“Ushtria bëhet jo për të luftuar por për të mbrojtur integritetin territorial. Mos e shifni ushtrinë dhe luftën bashkë, mos e shihni si diçka që do të bëjë luftë, as nuk do të jetë forcë agresore”, ka shtuar Selimi

Ndërsa, anëtari tjetër Fatmir Xhelili e ka qartësuar një deklaratë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj i cili ka thënë se ushtria do të bëhet në muajin nëntor të këtij viti.

“Krijimi i forcës së sigurisë së Kosovës dëshiron kohë, ligjet janë vetëm fillimi i kompetencave të reja që veprojnë në korniza të Kushtetutës, së paku do të duhen 8 deri në 10 vite që të bëhen taman ushtri edhe pse do të quhen Forca e Sigurisë së Kosovës, Ne s’jemi duke folur për 500 mijë veta, po flasim 5000 veta, që do të ndahen në njësi te ndryshme, 2,500 prej trye edukim trajnim edhe kështu është një proces asgjë nuk do të ndodh as në dhjetor as në janar.  Ne është e pamundur të ta formojmë ushhtrinë për 1 muaj e të kaën kapacitet ta mbrojnë shtetin”, tha Xhelili.

Ai po ashtu ka ftuar të rinjtë serbë që të vizitojnë kazermat e FSK-së.