Haxhi Shala dhe Sabit Januzi arrijnë marrëveshje për pranim fajësie lidhur me akuzën për frikësimin e një dëshmitari dhe pengim të personave zyrtarë
Haxhi Shala dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari e po ashtu edhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, në një marrëveshje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS). Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Shala dhe Januzi janë akuzuar për frikësim…
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2024/12/doa.png)
Lajme
Haxhi Shala dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën për frikësimin e një dëshmitari e po ashtu edhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, në një marrëveshje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Sipas njoftimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Shala dhe Januzi janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Ndërsa sipas këtij njoftimi, prokurorja e specializuar, Kimberly West kishte thënë se arritja e marrëveshjes për pranim të fajësisë është si rezultat i forcës hetimore të tyre.
“Arritja e zyrës sonë për të përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë. Ne e bëmë këtë pas një shqyrtimi të kujdesshëm që mori parasysh, midis të tjerave, rëndësinë e pranimit të përgjegjësisë në këtë kontekst, përfitimet e arritjes së përmbylljes herët të çështjes në mënyrë të drejtë, dhe mendimet e viktimave”, citohet të ketë thënë West.
Sipas njoftimit, prokurorja e specializuar u zotua gjithashtu të vazhdojë hetimet që lidhen me pengimin e drejtësisë për të garantuar integritetin e procedurave në DhSK.
“ZPS-ja do të vazhdojë, në të njëjtën kohë, të ndjekë me forcë të gjithë ata që kërkojnë të ndërhyjnë në administrimin e drejtësisë dhe të mbrojë viktimat e dëshmitarët in Kosovë”, citohet më tej të ketë thënë West.
Ndryshe, gjykimi në këtë rast ishte planifikuar që të fillojë më 14 nëntor 2024 por është shtyrë, ndërsa seancat në këtë rast janë parparë për 18 dhe 19 dhjetor 2024.
Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.
Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.
Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.
Gjithashtu, gjyqtari Guillou udhëzoi ZPS-në që të paraqesë një kërkesë për ndryshimin e aktakuzës së konfirmuar në rastin 10 sipas amendamentit të dytë, por në përputhje me dispozitat e Rregullores 86.
Pasi u miratua bashkimi i dy aktakuzave, Guillou vendosi se çështja e përbashkët do të vazhdojë me numrin KSC-BC-2023-10, i cili do të riemërohet në atë mënyrë që të përfshihen të tre të akuzuarit.
Gjithashtu, më 8 korrik janë bërë ndryshime në aktakuzën e përbashkët ku janë shtuar akuzat ndaj Bahtijarit dhe Januzit për frikësim përmes premtimit ose dhuratës, e cila përkufizohet edhe me Kodin Penal të Kosovës.
Aktakuza ndaj tyre është ngritur më 4 tetor 2023, me të cilën ngarkohen se kanë tentuar të bindnin një dëshmitar të mos japë dëshmi.
Ata akuzohen për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të kërcënimit të rëndë, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 31, 33, 35 dhe 401 (1) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Po ashtu, për përpjekje për pengim të personave zyrtarë për kryerjen e detyrës zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër rendit publik, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 28, 33, 35, dhe 401 (2) dhe (5) të KPK-së, dhe neneve 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit. Po ashtu, për përpjekje për frikësim gjatë procedurës penale, midis më së paku 5 dhe 12 prillit 2023, vepër penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administratës publike, e ndëshkueshme në bazë të neneve 17, 21, 31, 33, 35 dhe 387 të KPK-së, dhe neneve 15(2) dhe 16 (3) të Ligjit.
Sipas aktakuzës, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, përmes kërcënimit të rëndë dhe veprimit të përbashkët të një grupi personash në të cilin të dy morën pjesë, tentuan të pengonin persona zyrtarë, si gjykatës, prokurorë, zyrtarë të gjykatës, zyrtarë të prokurorisë apo persona të autorizuar nga gjykata ose prokuroria, në kryerjen e detyrave zyrtare.
Kurse, në aktakuzën e 12 dhjetorit 2023, Kryeprokurorja e Specializuar, Kimberly Ëest akuzon Shalën për frikësim të dëshmitarëve, tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare individualisht dhe me pjesëmarrje në grup.