Haxhi Arifi, nuk e pranon pensionimin
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, është i pari person që kërkon të zbatohet ligji i punës, e ndër të parët që publikisht dihet se edhe në kohën kur duhet të ishte në pension, vazhdon punën e tij vendimmarrëse.

Lajme
Sikur Haxhi Arifi të respektonte ligjin e punës për të cilën si kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), ka bërë thirrje jo rrallë herë që të respektohet nga të tjerët, ai sot ose të hënën do të shkonte në njërën nga bankat në Kosovë, që ta merrte pensioni e tij, që më moshë i takon para tash e dy muaj.
Por, Arifi ende vazhdon të mbaj poste publike,atë të kryetarit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe anëtarë i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.
Arifi ka thënë për Kosovapress se në BSPK nuk e kanë të kufizuar mandatin, e ndërsa në AKP, si anëtarë i bordit, mandatin e ka deri në shkurt të vitit 2015.
Se sa mund të jetë efikas, në punën e tij, Haxhi Arifi dhe të tjerët të cilët punojnë edhe në kohën kur ata duhet të jenë në pension, ka shpjeguar psikologu Naim Telaku.
“Sidoqoftë, marrë ne përgjithësi, hulumtimet tregojnë se duke filluar nga mosha e mesme, pra nga te 50-tat, fillon rënia e kapaciteteve mendore, kryesisht e funksioneve kognitive. Nga te 60tat e tutje, funksionet kognitive bijnë për rreth 10%. Funksionet te cilat dëmtohen më së shumti me moshën janë aftësitë rezonuese dhe racionalizuese, shkathtësitë kalkuluese, kujtesa, funksionet ekzekutive, shkathtësitë e ndërlidhura me vëmendjen, etj. Marrë parasysh këto te dhëna, mund të themi se me moshimin e njerëzve kemi ulje të kapaciteteve mendore dhe rrjedhimisht ulje të kapaciteteve ekzekutive, por kjo nuk do të thotë se me mbushjen e moshës 64 vjeçare, njeriu bëhet i paaftë për pune apo për detyra ekzekutive”, ka thënë Telaku.
Megjithatë, ai ka thënë se në mes personave të moshës së njëjtë, ka dallime në kapacitetet ekzekutive, pasi që jo tek të gjithë njerëzit e humbin kapacitetin ekzekutiv njëjtë dhe në moshë të barabartë.
“Këto ndryshime varen nga faktorët gjenetik dhe rezerva kognitive. Rezerva kognitive ka të bëjë me stilin gjithë-jetësore të individit, gjegjësisht me angazhimin kognitiv të individit gjatë jetës së tij. Nëse individi ka qenë i angazhuar në aspektin intelektual gjatë gjithë jetës, si dhe ka bërë një jetë të shëndetshme fizike, atëherë rezerva e tij kognitive është më e madhe dhe si pasojë, rënia intelektuale në moshë të thyer është më e ngadaltë dhe më pak e dukshme. Faktor tjerë me rëndësi janë edukimi, zgjedhja e profesionit, aktivitetet e lira, ambienti jetësorë dhe ndikimi i prindërve, aktivitetet sociale, stili i jetës dhe ballafaqimi me sëmundje të ndryshme”, shkruan Telakut. (Kosovapress)