Hawking: Zoti nuk ekziston, shkenca më bindëse se religjioni

Stephen Hawking thotë se është atesit dhe mendon se shkenca ka ofruar “shpjegim dukshëm më bindës” lidhur me prejardhjen e Universit sesa Religjioni. Ai thotë se shkenca është më bindëse se religjioni.

Bota

27/09/2014 23:53

Para se ta kemi kuptuar shkencën, ka qenë e natyrshme të besojmë se Zoti e ka krijuar Universin, por sot shkenca na jep shpjegime dukshëm më bindëse.

Kështu ka deklaruar fizicienti i njohur Stephen Hawking në një video që e ka transmetuar gazeta spanjolle El Mundo.

“Kur unë kam thënë ‘sikur ta njihim mendjen e Zotit’, kam menduar se në atë rast do të dinim gjithçka di Zoti, në qoftë se ai do të ekzistonte, por ai nuk ekziston. Unë jam ateist”, ka shtuar Hawking.

Komenti i Hawking ka pasuar pas një pyetje të gazetarit në lidhje me religjiozitetin e tij.

“Mendja e Zotit” është një referencë që Hawking e përdor për të sqaruar pasusin nga libri i tij “Histori e shkurtër e kohës”, në të cilën ai ka shkruar se shkencëtarët “do ta njihnin mendjen e Zotit” sikur të zbulohej një set parimesh shkencore që njihet ndryshe edhe si “Teoria e Gjithçkasë”.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që Hawking flet hapur lidhur me bindjet e tij religjioze.

Në vitin 2011, për The Guardian, ai pat deklaruar se nuk beson në parajsë ose në jetën pas vdekjes, duke i quajtur ato “përralla për ata që i tuten territ”.

Po ashtu, në vitin 2007, Hawking kishte deklaruar për BBC se “nuk është religjioz në kuptimin klasik” dhe se beson se Universin e udhëheqin ligjet e shkencës. Këto ligje ndoshta janë sjell nga ana e Zotit, por ai nuk intervenon për t’i thyer ato.