Hashim Deshishku uzurpoi pronat e shtetit

Prokuroria e Shtetit bashkë me Policinë e Kosovës shumë shpejtë do t’i trokas në derë ish deputetit të LDK-së Hashim Deshishku.

Lajme

22/04/2016 11:22

Ai duhet ta liroj objektin që ka uzurpuar tash e 17 vite në qendër të Prishtinës.

Në obejktin ku janë të vendosura lokalet e kompanisë ‘Lesna’, në rrugën ‘Rexhep Luci’ në Prishtinë, sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit ato po shfrytëzohen  nga Deshishku kundërligjshëm, pa i dhënë llogari askujt.

Ndonëse këtë nuk e pranon Hashim Deshishku duke dëshmuar me kontratë shitblerjeje se nuk është uzurpator, dokumentacionet zyrtare tregojnë të kundërtën.

Zyrtarët e AKP-së kanë sqaruar për Gazetën Fjala se Deshishku është uzurpator në dy prona të ndërmarrjes shoqërore “Viktoria”, një në rrugën Fehmi Agani edhe atë në rrugën Rexhep Luci.

“Autoriteti i Likuidimit i ndërmarrjes shoqërore “Viktoria” e ka refuzuar si të pavlefshme kërkesën për njohjen e të drejtës së pronësisë të parashtruar nga “Lesna Trade” sh.p.k. për asetin e kësaj ndërmarrje shoqërore që gjendet në rrugën Rexhep Luci nr.2”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Sipas këtij institucioni, Deshishku ka kërkuar që ti njihet e drejta e pronësisë, duke u bazuar në një kontratë shitblerjeje të mëhershme, por që nuk është marrë për bazë nga AKP.

Edhe pronën e NSh “Viktoria”, në rrugën ‘Fehmi Agani’, AKP e liston si të uzurpuar nga Deshishku.

Për të gjitha këto po zhvillohet proces gjyqësor në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, pas kërkesës së Deshishkut për njohje të pronësisë.

“Ndërmarrja shoqërore e ka kontestuar këtë pretendim dhe ka kërkuar anulimin e kësaj kontrate të shit-blerjes. Rasti është në proces gjyqësor në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e AKP-së.

Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të kësaj gjykate, pa dashur të japin detaje për rastin.

“…gjykata nuk mund të nxjerrë në pah informata lidhur me procedurat në rrjedhë e sipër për palët e treat”, i ka thënë Gazetës Fjala, Labinotë Ismaili, nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme.

Gazeta Fjala, ka provuar më shumë se një javë të vë kontakt me ish deputetin, Hashim Deshishku, por ka qenë  e pamundur.

Bazuar në deklaratat e tija të mëhershme ai ka hedhur poshtë faktet e Agjencisë së Privatizimit për uzurpim.

Në një sqarim publik ai ka shkruar se “ajo pronë është blerë përmes kontratës me institucionin përkatës (pronarin) me datë 21.02.2001 përmes marrëveshjes në mes Lesnina Sloveni dhe Lesna Prishtinë dhe e njëjta është vërtetuar në gjykatën komunale në Prishtinë numër 5319 të datës 02.10.2001”.

“Sa për sqarim ,kjo prone me date 19.11.1975 është blerë nga kompania sllovene Lesnina nga KNI Ramiz Sadiku në Prishtinë me numër të kontratës mbi shitblerjen 1192 te datës 21.01.1975 dhe te annex kontratës mbi shitblerjen numër 12574 të datës 19.11.1975 .

Kjo prone në kadastër figuron tashmë në emër timin sipas fletës poseduese me numër te lëndës 11-953 – 240 534/271 të leshura nga komuna e Prishtinës”, shkruan Deshishku.

Sipas tij këto informata mund të verifikohen lehtë nga organet e interesuara.

Madje ai thotë se kompania “Viktoria” asnjëherë nuk ka qene pronare e pronës ne fjalë.

E ndërkohë Kryeprokurori i Shtetit,  Aleksandër Lumezi para një dite ka njoftuar se gjatë javëve të ardhshme së bashku me Policinë e Kosovës do të fillojë aksionin për lirimin e disa pronave të uzurpuara.

Ai ka thënë se Prokuroria është duke kryer hetime kryesisht nga raportimi i mediave për pronat e uzurpuara.

“Nëse kemi prova për këdo, secilin zyrtarë të lartë, ne nuk do ta kursejmë askënd, por duhet të dini që është vështirë të sigurohen provat. Këtu duhet raportim edhe i të gjitha institucioneve tjera shtetërore. Nuk mundet vetëm Prokuroria sepse sundimi i ligjit nënkupton bashkërendim të të gjitha institucioneve”, ka thënë Lumezi. /Gazeta Fjala