Hasan Prishtina në pullë postare

Nga sot vihet në qarkullim pulla postare Hasan Prishtina. Posta e Kosovës ka zgjedhur tempullin e dijes për promovimin e saj.

Lajme

28/10/2013 13:35

Nga sot ka nisur emetimi i pullës postare me emrin e patriotit kombëtar Hasan Prishtina. Kjo pullë, sipas atyre që e promovuan, do t’i thyejë kufijtë duke kaluar në mbarë botën.

Sejdi Hoxha, drejtor i Postës së Kosovës,e konsideron këtë emetim si të jashtëzakonshëm për  filatelinë e pullave postare dhe promovim të vlerave për Postën e Kosovës.

“Kjo pullë postare është emision i jashtëzakonshëm i filatelisë i Postës së Kosovës që vihet sot në qarkullim. Përmes emetimit të rregullt dhe të jashtëzakonshëm të pullave postare Posta e Kosovës promovon vlerat e saj historike, kombëtare, kulturore dhe shkencore dhe artistike të republikës së Kosovës”.

“Jemi krenarë që kësaj radhe po e nderojmë Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ku për afër gjysmë shekulli dolën kuadro profesionale të cilat dhanë dhe po japin kontributin kryesor në zhvillimin e përgjithshëm të shtetit të Kosovës”.

“Që nga themelimi i tij më 15 shkurt të vitit 1970 dhe deri më sot, historia e këtij universiteti mbeti e pandarë me historinë dhe fatin e Kosovës”.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja uroi të pranishmit për këtë pullë duke dëshiruar që kjo pullë të mos shuhet kurrë.

“Posta ka bërë hapin më të mirë, më të urtë, më të kulturuar që sot e nderon Universitetin Publik të Prishtinës “Hasan Prishtina”me këtë emblemë që nuk do të shuhet kurrë”.

Rektori i UP’së, Ibrahim Gashi tha se emërtimi i kësaj embleme me emrin Hasan Prishtina do t’i bëjë krenarë të gjithë, studentë e profesorë  të këtij universiteti që kanë qenë dhe janë këtu.

“Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” sot po prezantohet përmes kësaj pulle postare në gjithë meridianët e botës. Kjo godinë që keni të konfiguruar me këtë pullë postare është simboli edhe i dijes edhe i sakrificës por në fakt është edhe simboli i armës më të fuqishme të shqiptarëve ndër vite”.