Harden parakalon ikonën Iverson, Suns “fluturojnë” me Devin Booker

Mbrëmje spektakolare në NBA ku ranë në sy paraqitjet individuale të “yjeve” të elitës së basketbollit amerikan.

Sport

05/11/2019 09:25

Në fitoren 100-107 të Houston Rockets në parketin e Memphis Grizzlies vlerësimi i më të mirit të takimit i takoi James Hardenit, autor i plot 44 pikëve dhe i 10 “rebound”, i cili bëri që të mos ndihej aspak mungesa e Rusell Westbrook. Për Grizzlies nuk mjaftoi fakti që 6 basketbollistë realizuan shifër të dyfishtë pikësh, të udhëhequr nga Ja Morant me 23 pikë.

Ritmin e Harden e mbajti edhe Giannis Antetokounmpo, i cili udhëhoqi Milwaukee Bucks në fitoren e thellë 106-134 në fushën e Minnesota Timberwolves, duke shënuar 34 pikë dhe rikuperuar 15 topa. “Mjekroshi” parakaloi ikonën e NBA, Allen Iverson, duke u bërë basketbollisti i pestë me më shumë 40-pikësha në histori. Ndihmë të madhe dhanë në këtë sukses të Bucks edhe Khris Middleton (26 pikë) dhe Eric Bledsoe (22), ndërsa për Timberwolves më i miri rezultoi Andreë Wiggins me 25 pikë.

Phoenix Suns konfirmuan formën e mirë në këtë fillim sezoni duke poshtur Philadelphia 76ers (pa Joel Embiid) 114-109. “Mbreti” i mbrëmjes ishte Devin Booker me 40 pikë. U dallua edhe Ricky Rubio me 21 pikë e 10 asiste, ndërsa për Sixers nuk mjaftuan 32 pikët e Al Horford dhe 24 pikë dhe 10 “rebound” të Tobias Harris.

Fitore e merituar e Brooklyn Nets ndaj New Orleans Pelicans 135-125, me protgonist absolut Kyrie Irving, autor i 39 pikëve, ndërsa për Pelicans nuk ishte të mjaftueshme 40 pikët e një Brandon Ingram në superformë.

Golden State Warriors, me gjithë problemet e mëdha që kanë me dëmtimet, arritën në një mënyrë a në një tjetër të fitonin 127-118 përballë Portland Trail Blazers. Heroi i skuadrës nga San Francisco rezultoi Eric Paschall që me 34 pikë dhe 13 “rebound” bëri të mos ndiheshin mungesat e Steph Curry, Klay Thompson, D’Angelo Russell dhe Draymond Green. Për Blazers nuk morën vlerë 39 pikët e Damian Lillard dhe 22 pikë e 11 “rebound” të Hassan Whiteside.

U kthyen te fitorja pas tri humbjeve radhazi Washington Wizards, që iu imponuan Detroit Pistons me rezultatin 115-99. Provë e mirë e Bradley Beal që e mbylli takimin me 22 pikë, ndërsa për Pistons nuk ishin të mjaftueshme 24 pikët e Luke Kennard.

Rezultatet:

Washington Wizards-Detroit Pistons 115-99

Brooklyn Nets-New Orleans Pelicans 135-125

Memphis Grizzlies-Houston Rockets 100-107

Minnesota Timberwolves-Milwaukee Bucks 106-134

Phoenix Suns-Philadelphia 76ers 114-109

Golden State Warriors-Portland Trail Blazers 127-118. /Lajmi.net/