Haraqija flet për eurot e Bukoshit e Mustafës kur ajo nuk ekzistonte si valutë
Astrit Haraqija e ka akuzuar rëndë Isa Mustafën, duke thënë se ai bashkë me Bujar Bukoshin, në kohën e Qeverisë në Ekzil, i kanë dhënë 40 milionë euro LPK-së për ta rrëzuar figurën e Ibrahim Rugovës si lider.

Lajme
Ai ka sqaruar se bëhet fjalë për Fondin e 3 përqindëshit dhe ka pohuar se dokumentet do t’i bëjë publike brenda tri ditëve.
Këto komente ai i ka bërë në emisionin “Rrokum Rroll” të TV Rrokum.
Haraqija më tutje është shprehur i bindur se SHIK-u po e ndihmon Isa Mustafën. Ai, po ashtu, ka deklaruar se në LDK nuk ka më frymë rugoviane, por frymë të Isa Mustafës – frymë komuniste.
Haraqija është i bindur se në Gjakovë, edhe nëse vetë Isa Mustafa do të kandidonte, do ta mposhtte.
Ai ka përjashtuar Isa Mustafën nga mundësia që të rizgjidhet kryetar i LDK-së pas këtyre zgjedhjeve. Sipas tij, drejtimin e LDK-së mund ta marrë edhe Sabri Hamiti, Agim Veliu ose Lutfi Haziri, por jo Isa Mustafa.
Mustafa, sipas tij, po bën shantazh dhe presion ndaj anëtarësisë dhe degëve të partisë për t’i fituar zgjedhjet për kryetar të LDK-së.
Po ashtu, ka akuzuar kryeministrin Mustafa se po bashkëpunon me Hashim Thaçin për t’i marrë kompetencat e komunave, me qëllim të centralizimit të tenderëve, njofton Tv Rrokum.
Të përkujtojmë se euro si valutë e përbashkët e eurozonës ka hyrë që qarkullim në vitin 2001 dhe se në kohën për të cilën ka folur haraqija euro nuk ka ekzistuar. Haraqisë si duket i janë përzier kabllot.