Haradinaj tregon formulën e daljes nga kriza

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, deklaroi se zgjidhja e vetme e daljes nga kriza aktuale politike është mbajtja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lajme

02/02/2016 20:27

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), thotë se ka ide se si të dilet nga kriza aktuale politike.

Ai deklaron se zgjidhja është në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lideri i AAK, partisë së dytë opozitare në vend,  tha se liderishipi kosovar duhet të gjejë një zgjidhje për të vendosur se si dhe në çfarë mënyre do të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme.

“Kriza po thellohet, ne gjithsesi do të shkojmë në zgjedhje, por a është më mirë të shkohet në zgjedhje pas një situate të re që mund të krijohet me rritjen e kundërshtimit, me rritjen e presionit qytetarë, apo do të shkojmë në zgjedhje me një marrëveshje politike e cila do të nënkuptonte edhe zgjedhjen e presidentit direkt nga populli edhe ndryshimin e kushtetutës dhe kategorinë e re ligjore në ligjin për zgjedhje që është zgjedhja e presidentit direkt nga populli”, tha Haradinaj, raporton Evropa e Lirë, transmeton lajmi.net.

“Pra, do të ishte një fitore për Kosovën sepse në të njëjtën kohë me këtë marrëveshje politike do të fitonim edhe presidentin e zgjedhur nga populli si insitucion i fuqishëm”, theksoi Haradinaj.

Lideri i AAK-së  konsideron se koalicioni qeverisës aktual ka kuptuar se vonesa për thirrje të zgjedhjeve do të dëmtojë edhe më shumë vendin.

“Është theksuar fuqia e kundërshtimit dhe durimi i qytetarëve nga qeveria me një lloj arrogance. E kemi pasur 28 nëntorin, u tha se është festë. Më 9 janar u dyfishua numri i njerëzve dhe presionit qytetar”, deklaroi Haradinaj.

Tri partitë opozitare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ka paralajmëruar protestën e radhës më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e 8-të të pavarësisë së Kosovës.

Protestat e opozitës kanë nisur muaj më parë, në kundërshtim të marrë​veshjes ndë​rmjet Kosovë​s dhe Serbisë​ në​ Bruksel, të arritur më 25 gusht, lidhur me krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi./lajmi.net