Haradinaj thumbon Veselin, Kurtin e Osmanin

Kandidati i AAK-së për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kritikuar sot kundërkandidatët e tij nga subjektet tjera, se në programin e tyre qeverisës nuk kanë plane për zhvillimin ekonomik të vendit.

Lajme

17/09/2019 16:47

Në një takim me struktura të AAK-së, ku foli për ekonomi dhe zhvillim, Haradinaj pati disa fjalë për tre kundërshtarët e tij politikë, Vjosa Osmanin (LDK), Kadri Veselin (PDK) dhe Albin Kurtin (Vetëvendosje), të tre këta kandidatë për të marrë postin e kryeministrit në zgjedhjet e 6 tetorit.

Sipas tij, kandidatja e LDK-së për kryeministre nuk ka folur deri më tash fare për ekonomi, Kurti synon të kthejë rendin agrar në vend, ndërsa siç tha ai, Veseli as që kuptohet se për çfarë flet.

Haradinaj: Veseli nuk e di për çfarë flet, Albini po na kthen në kohën e agrarit

“I kam përcjellë kolegët e mi, Vjosa është juriste edhe unë jam jurist. Kadriu nuk e di profesionin që e ka përveç inteligjencës – ka kryer diçka me sa di në Greqi, dhe e kam përcjellë Albinin. Albini po do të na kthejë në kohë të agrarit, kjo është logjika e tij, as komuniste nuk janë… Për Vjosën, ende nuk e kam dëgjuar që e ka përmendur ekonominë. Për Kadriun, besoni ia vë mendjen kur del, nëse e di çka është duke folur – qe! Në ia pastë bë dikush një analizë të dy rreshtave të premtimeve që po i jep – qe, në e ditë se çka është duke folur – qe”, tha ai.

E si kryeministër i Kosovës, Haradinaj tha se do të fokusohet në zhvillimin ekonomik të vendit, me fokus krijimin e kushteve më të mira të të bërit biznes për sipërmarrësit.

Hardinaj: Jam bërë gati si kryetar qeverie nesër

“Na ka ardhur koha më në fund, krejt energjia e vendit të shkojë te lista e veprimeve që ia mundësojnë sipërmarrësit tonë rritjen e tij, rritjen e veprimtarisë ekonomike. Pra, më pak tatim, mënyrë më të mençur të mbledhjes së parave, mënyrë më të mençur të kthimit të parasë, përfshirë këtu edhe ato para që i investojmë direkt si subvencione, grande,  fonde për punësim ose për zhvillim, ose lehtësirat që ia mundësojmë atij që është në prodhim… Pra, kjo është diçka e jashtëzakonshme. Pra, mundemi dhe jam bërë gati, si kryetar qeverie nesër”, tha ai.

Haradinaj tha se arsyeja se pse ka duruar të gjitha goditjet për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, nuk ishte për shkak të kryeneçësisë së tij, por pasi që ka bashkëndierë me prodhuesit vendorë. E nga këta të fundit, Haradinaj kërkoi votën për AAK-në, më 6 tetor./kp