Haradinaj thotë se Kosova vazhdon ta ketë mbështetjen e Amerikës për Ushtrinë

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova e ka mbështetjen e SHBA-së për Ushtrinë.

Lajme

15/01/2019 15:11

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë, ka thënë se nuk është e vërtetë që Shtete e Bashkuara të Amerikës e kanë kërcënuar Kosovën me tërheqjen e mbështetjes së tyre për Ushtrinë e Kosovës, në rast se nuk shfuqizohet vendimi për taksën prej 100 për qind për mallrat e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës, raporton lajmi.net.

Sipas Haradinajt, Kosova dhe populli i saj është më pro-amerikan në botë.

Tutje Haradinaj në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë ka thënë se nuk është aspak e vërtetë që SHBA e ka kërcënuar Kosovën me mbështetjen për Ushtrinë në rast se nuk hiqet taksa prej 100 për qind.

“Nuk ka qenë e lehtë deri te vendimi i marrjes për ushtrinë. S’ka kthim mbrapa për ushtri prej Amerikës…. Një dokument që ka dalë në media dhe është bërë publik nuk mendohet se ka qenë autorësi e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe Këshilli Kombëtar i Sigurisë edhe mund të ketë burime nga atje, por ne në komunikim me Amerikën, komunikim zyrtar, pra adresa zyrtare e Amerikës në Kosovë është ambasadori Philip Kosnett dhe ai na tregon neve çka mendojnë të tjerët”, ka deklaruar Haradinaj. /Lajmi.net/