Haradinaj takon Apostolovën, flasin për reformat zgjedhore në vend

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim shefin e OSBE-së, Jan Braathu dhe shefen e BE-së, Natalyia Apostolova.

Lajme

13/03/2019 14:27

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për media, teksa është njoftuar se temë diskutimi kanë qenë edhe proceset zhvillimore në vend, në theks të veçantë reformën zgjedhore, raporton lajmi.net.

“Kryeministri Haradinaj me këtë rast ka theksuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për reformat e përgjithshme në vend, forcimin e sundimit të rendit dhe të ligjit, zhvillimin ekonomik, reforma këto të cilat do të jenë në shërbim të forcimit dhe rolit demokratik të institucioneve të vendit”, thuhet në komunikatën për media.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj ka falënderuar institucionet e Bashkimit Evropian për rolin e tyre dhe ndihmën që kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin në procesin e reformave të përgjithshme në Kosovë, në të njëjtën kohë ka kërkuar mbështetjen e mëtejme për procesin e reformës zgjedhore, përmes së cilës do të garantohej një gjithëpërfshirje politike dhe përfaqësim adekuat gjinor dhe etnik.

Duke theksuar orientimin euroatlantik të Kosovës, kryeministri Haradinaj vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe është duke punuar me përkushtim në përmbushjen e Agjendës së Reformave Evropiane dhe përafrimin e legjislacionit me atë të BE-së. /Lajmi.net/