Haradinaj takohet me Shoqatën e Invalidëve Civilë të Luftës: Kërkesat e kësaj kategorie nuk janë përfillur nga kjo qeveri

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se vendi ynë e pagoi shtrenjtë lirinë që e gëzojmë sot. Në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, Haradinaj ka takuar  disa nga anëtarët e Shoqatës së Invalidëve Civil të Luftës. Haradinaj tha se edhe sot ata vazhdojnë të përballen me sfida të shumta si mungesa e protezave…

Lajme

11/06/2024 13:44

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se vendi ynë e pagoi shtrenjtë lirinë që e gëzojmë sot.

Në 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, Haradinaj ka takuar  disa nga anëtarët e Shoqatës së Invalidëve Civil të Luftës.

Haradinaj tha se edhe sot ata vazhdojnë të përballen me sfida të shumta si mungesa e protezave dhe pensionet e ulëta të cilat ua vështirësojnë edhe më tepër pozitën e tyre.

Madje ai tha se kërkesat e kësaj kategorie nuk janë përfillur nga kjo Qeveri, transmeton lajmi.net.

Haradinaj theksoi se këta njerëz nuk e kanë vendin në rrugë ashtu sic kanë protestuar së fundi, por duhet t’u mundësohet trajtimi meritor i cili iu takon.

Postimi i plotë:

Vendi ynë e pagoi shtrenjtë lirinë që e gëzojmë sot. Gjatë luftës së fundit shumë familjarë humbën më të dashurit e tyre e shumë tjerë e pësuan edhe me humbjen e gjymtyrëve, pasoja të cilat i vuajnë edhe sot.  Të njëjtin fat e përjetuan edhe shumë vëllezër e motra civilë.

Sot, me Shoqatën e Invalidëve Civilë të Luftës biseduam për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen çdo ditë. Mungesa e protezave dhe pensionet e ulëta e kanë vështirësuar tejmase pozitën e tyre.

Fatkeqësisht, kërkesat e kësaj kategorie nuk janë përfillur nga kjo qeveri. Është i papranueshëm mohimi që i bëhet nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë në mbulimin e trajtimit mjekësor.

Këta njerëz nuk e kanë vendin në rrugë, ashtu siç protestuan së fundi në kërkim të të drejtave të tyre, por duhet t’i mundësohet trajtimi meritor që iu takon.

U zotova para tyre që në momentin e parë që do të jemi në vendimmarrje do t’i trajtojmë me kujdes dhe do te kujdesemi për plotësim të kërkesave të tyre.

Kosova e ka borxh kujdesin ndaj njerëzve të saj!./Lajmi.net/