Haradinaj-Stublla takon Çavusoglu: Turqia mbështet një Kosovë të fortë dhe anëtare të NATO-s

Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla është takuar sot në Ankara me homologun e saj turk Mevlut Çavusoglu me të cilin ka biseduar për marrëdhëniet ndërshtetërore, si dhe për qasjen në vaksinën antiCOVID-19 dhe mbështetjen për bashkëpunim të ngushtë në këtë drejtim.

Lajme

28/12/2020 17:35

Kryediplomatja kosovare ka falënderuar homologun e saj turk për mbështetjen e Turqisë në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e përkrahjes në përmbylljen e njohjes universale të shtetit të Kosovës, si anëtare me të drejta dhe përgjegjësi të plota në bashkësinë ndërkombëtare.

“E sigurova homologun se një Kosovë e fortë brenda, e integruar në NATO dhe e njohur ndërkombëtarisht është garanci e fortë e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Njëherësh u sigurova nga ministri Çavusoglu se Turqia do të vazhdojë mbështetjen e plotë për Kosovën në këtë aspekt. Gjithashtu, treguam gatishmëri për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në aspektin e sigurisë dhe atë ushtarak, sidomos për aspiratën legjitime të Kosovës për avancimin e rrugëtimit të saj integrues për në NATO, duke përmbyllur kështu arkitekturën e sigurisë në brezin e Adriatikut”, tha Haradinaj-Stublla.

Në takim u diskutua edhe për nevojën e rritjes së aktivitetit ekonomik midis dy shteteve dhe përmirësimin e bilancit tregtar. Ministri Çavuşoğlu u shpreh se në këtë kuadër do të rriten investimet turke në Kosovë, si edhe do të mundësohen kushtet për rritjen e eksportit kosovar drejt Turqisë. /Lajmi.net/