Haradinaj: Qeveria do të përkrahë idetë e reja biznesore

18:08 | 11 Qershor 2018

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka vizituar Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK), ku është pritur nga drejtori ekzekutiv, Uranik Begu, me bashkëpunëtorë.

Gjatë kësaj vizite kryeministri Haradinaj pa nga afër ambientet e punës, programet dhe aplikacionet e ndryshme që janë zhvilluar dhe vazhdojnë të zhvillohen në këtë qendër, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të Qeverisë që të ndihmoj të rinjtë e kësaj qendre inovative dhe në përgjithësi të rinjtë e Kosovës.

 “Përkrahja e të rinjve dhe të rejave të talentuara në fushën e invoacionit dhe teknologjisë është prioriteti ynë, pikërisht për këtë qëllim e kemi themeluar edhe Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë”, tha kryeministri Haradinaj.

 Më tej, kryeministri Haradinaj tha se edhe Qeveria e Kosovës është e interesuar për marrjen e përgjegjësive që të rinjtë e kësaj qendre të mund të jenë të suksesshëm dhe që në të ardhmen të jenë po këta që hapin vende të reja të punës.

 “Janë angazhime të vlefshme jo vetëm biznesore, por janë inovative dhe krijuese. Janë të rinj e të reja që krijojnë që premtojnë dhe më vije mirë që qendra ka arritur t’ju jap këto mundësi. Kjo është diçka e mirë për Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar Qeverinë e Norvegjisë dhe të Suedisë për investimet në këtë qendër.

 Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës, Uranik Begu, shprehu kënaqësinë që sot ka pritur kryeministrin Haradinaj duke thënë se kishte shkëmbim idesh që së bashku me institucionet të krijojnë mundësi për rininë e Kosovës.

 “Dihet që inovacioni dhe ndërmarrësia në vend, sot janë më të nevojshme se kurdo tjetër”, tha drejtori Begu, duke shtuar se ka shenja pozitive dhe lajme të mira nga Qeveria dhe ditëve e muajve mund t’i konkretizojmë disa veprime dhe të shihen rezultate të prekshme, duke i dhënë shpresë rinisë e cila e meriton një të ardhme më të mirë.