Haradinaj porosit të mos votohen as PDK e as LDK

Ramush Harandinaj ka porositur qytetarët e Gjakovës të mos e votojnë as PDK-në e as LDK-në. Ai ka thënë se vota për AAK-në është numri i fitores dhe i integrimit të Kosovës në BE, andaj ka kërkuar votën e qytetarëve të Gjakovës.

Lajme

01/06/2014 16:21

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë tubimit elektoral të mbajtur të dielën në qytetin e Gjakovës, ka porositur qytetarët e kësaj Komune të mos votojnë për PDK-në pasi që, sipas tij, qeverisja e saj e ka neglizhuar këtë komunë.

Ai ka thënë se qeveria e Hashim Thaçit e ka lidhur këtë komunë me kryeqytetin përmes “një ure prej llamarine”, duke dashur të ilustrojë se çfarë investime ka bërë qeveria në këtë rajon.

\”Dua t\’ia nisi për një arsye konkrete, ky rajon është bukur i madh, është edhe kufitar, që lidhet me Malësinë e Gjakovës dhe me vise tjera, e për me ardhë deri këtu ose të shkosh nga këtu duhet të kalosh nga ajo ura nga llamarina. Është e pakuptimtë që një zonë kaq e madhe, me kaq shumë banorë, me kaq shumë ekonomi e kulturë, me u lidhë me kryeqytetin me një urë nga llamarina. Nuk ka logjikë, ajo tregon shumë se çfarë pozicioni ka kjo trevë në qeverinë në largim. Kjo tregon sa keni pas vlerë për ta”, tha ai.

“Gjakovë, mos i jepni votë PDK-së, se nuk po e kthen në kujdes për ju, ura nga llamarina e tregon më së miri këtë. Ju lidheni me kryeqytetin tuaj me urë të llamarinës, urë të ndihmave, urë të mëshirës\”shtoi ai.

Por, Haradinaj nuk ka kritikuar vetëm Thaçin. Ai ka thënë se edhe Isa Mustafa me qeverisjen e tij në Prishtinë ka dëshmuar se nuk di të qeverisë. Ai ka thënë se një njeri “që dështon kryeqytetin”, nuk mund të nxjerrë vendin përpara.

“Oponenti tjetër, kush është ai? Ish kryetari i kryeqytetit, disa vite çdo javë dilte në shesh, duke i shtruar do pllaka e nuk arrinte ta përfundonte projektin. Është marre me mendua, është gabim me i dhanë mundësi këtij njeriu që e ka dështuar kryeqytetin, me e nxjerr vendin. Nuk e them për inati këtë, sepse e respektoj atë subjekt, por kjo gjendje e lidershipit nuk mjafton”.

Programi “Drejtimi i Ri”, ka thënë Haradinaj, bazohet në zhvillim ekonomik, duke investuar në energji dhe në minerale.

“Aktivizimi i qymyrit, investimeve në energji, në energji elektrike, por edhe në naftë e gaz. Aktivizimi i resurseve të metaleve, përkrahje për bujqësinë, fondi agrar është një përkrahje direkte, aktivizimi i turzimit, partneritetin me investitor të jashtëm. Ju e dini se kjo është e mundshme, ka mundësi dhe kemi njerëz”.

Haradinaj ka thënë se vota për AAK-në është votë për fitore dhe integrim të Kosovës në BE.