Haradinaj pas takimit me Thaçin: Shkuarja në zgjedhje është e pamundur

Presidenti Hashim Thaçi zhvilloi edhe konsultën e fundit për sot me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Lajme

02/04/2020 12:53

Haradinaj ka thënë se AAK-ja është kundër zgjedhjeve të parakohshme në këtë kohë. Sipas tij, më mirë është të ketë qeveri të votuar në Parlament sesa të vazhdohet me një qeveri të shkarkuar.

Pas takimit, kreu i AAK-së tha para mediave se shkuarja në zgjedhje është e pamundur.

“Diskutuam me presidentin dy tema, çështjen e pandemisë dhe po ashtu për momentin politik pas mocionit të mosbesimit. AAK mendon se më sigurt për Kosovën është me pas një qeveri të votuar në Kuvend, se sa me vazhdu me një qeveri të shkarkuar nga Kuvendi. Njëkohësisht nuk e shohim të mundur të shkojmë në zgjedhje në këtë kohë. Qeveria e ardhshme mundet të jetë me një afat të përkohshëm, mirëpo shpallja e zgjedhjeve në këtë është e pamundur”, tha ai.

Haradinaj tha se do të përkrahin formimin e Qeverisë së re, dhe nuk ka ndonjë synim për pozita.

Pas të gjitha takimeve të sotme, e edhe ato të djeshmet me Kurtin, Mustafën e Veselin, presidenti edhe njëherë sot do të deklarohet për media lidhur me këto konsulta. /Lajmi.net/