Haradinaj: Oferta për LDK-në serioze dhe e sinqertë

Kandidati për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj gjatë ditës së sotme u ka dërguar ftesë të gjitha partive për një takim për bisedat për koalicionet e mundshme për krijimin e Qeverisë.

Lajme

10/07/2017 23:22

Ai ka treguar në Zona B të Klan Kosovës se pse e ka bërë një gjë të tillë.

“Unë kam bërë atë që është detyrë e imja, që të fillojë konsultat, edhe nëse do të kishim 65 deputetë të siguruar nga zgjedhjet, është mirë që para se të formohen institucionet të informohen se çfarë Qeverie do të formojmë”.

“Nga ai takim do të kishte vetëm dobi Kosova, pa marrë parasysh si do të rrjedhë takimi, jam i gatshëm që të takohem me ta”.

Haradinaj ka treguar edhe se a preferon një koalicion me LDK-në apo Vetëvendosjen.

“Jam për “PO” për koalicion me koalicionin LAA, do t’i propozoj edhe Vetëvendosjes partneritet potencial”.

“Unë e shoh se distanca më e madhe është me Vetëvendosjen e ajo që mendoj se është më reale është një koalicion me LDK-në, besoj se do të ishte në interesin e tyre”.

Ai ka thënë se oferta për LDK-në është serioze dhe i leverdisë edhe LDK-së.

“Oferta është serioze për LDK-në, nëse vjen LDK-ja në koalicion, ka rol serioz dhe askush nga ne nuk është dominues, edhe është një situatë e respektueshme për LDK-në”.

“Do të bëjë çmos t’i tregojë LDK-së se sa reale dhe e sinqertë është oferta”.

Haradinaj që pritet të mandatohet edhe nga presidenti për krijimin e Qeverisë ka thënë se nuk kanë kohë për të humbur.

“Kam dëgjuar se LDK ka thënë se nuk do të votojnë për PDK-në, por nëse LDK vjen në koalicion me ne dhe vjen në qeverisje, e voton veten dhe jo PDK-në”.