Haradinaj: Nuk ka të dhëna që Maxhuni ka bërë shkelje për deportimin e ‘Gylenistëve’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për deoprtimin e ‘Gylenistëve’ nga Kosova.

Lajme

19/03/2019 15:54

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë u pyet në lidhje me deportimin e “Gylenistëve”, nga Kosova, përkatësisht për drejtorin e atëhershëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, nëse ka të dhënë apo dëshmi se ai kishte dhënë urdhër për këtë, raporton lajmi.net.

Haradinaj ka thënë se Maxhuni nuk ka dhënë urdhër për deportimin e “Gylenistëve” dhe se sipas tij, ka qenë AKI-ja që e ka bërë një gjë të tillë.

Ramush Haradinaj po ashtu ka thënë se e ka kritikuar ashpër edhe ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefajn, pasi që sipas tij, Sefaj ka pasur dijeni politike për këtë deportim edhe pse nuk ka dhënë urdhër, raporton lajmi.net.

“Nuk kam arrit me marrë asnjë dëshmi se dikush nga politika ka dhënë përgjegjësi, përpos Flamur Sefajt…. Unë s’kam mundur me gjet fajësi për drejtorin e atëhershëm të policisë, Shpend Maxhuni. Për këtë arsye, arsyeja pse kam dhënë vendim për ministrin Sefaj, se ai ka qenë në dijeni politikisht edhe pse nuk ka dhënë urdhër…. Nuk kam të dhëna që ai ka bërë shkelje gjatë kohës sa ka qenë Maxhuni në krye të Policisë”, është deklaruar Haradinaj.

Ndryshe për shkak të deportimit të shtetasve turq, Flamur Sefaj ishte shkarkuar nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme. /Lajmi.net/