Haradinaj nuk duron më

Ramush Haradinaj thotë se nuk do t'i durojë deklaratat fyese e shpifëse ndaj tij. Ai pohoi se ka duruar 13 vjet të zitë e ullirit, por tash ka vendosur të mos lejojë më përbaltjen ndaj tij. Në përmbylljen e fushatës në Pejë, ia uroi fitoren Ali Berishës.

Lajme

28/11/2013 18:17

Koalicioni AAK-LDD ka mbushur plot sallën e sporteve “Karagaxhi” në  Pejë, duke kthyer entuziazmin e mbështetësve të partisë, i cili ishte zbehur më 3 nëntor kur Kandidati i LDK’së, Gazmend Muhaxheri, mori më shumë vota se Kandidati i tyre, Ali Berisha.

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj dhe partnerët e koaliconit të tij për Pejën, u shprehen të sigurt në fitoren e Ali Berishës, më 1 dhjetor, duke shpresuar në përmbysje të rezultatit.

Ai, madje, ia uroi fitoren Ali Berishës.

Ashpërsimi i fjalorit politik midis LDK’së dhe AAK’së në Pejë nuk u anashkalua as në këtë tubim, ku Haradinaj komentoi lidhur me akuzat Gazmend Muhaxherit, i cili ditë më parë e kishte bërë përgjegjëse AAK’në për disa vrasje të pasluftës në Dukagjin.

“Ju e dini që jam i kujdesshëm dhe i kushtoj respekt secilit, edhe fëmijës, edhe plakut, edhe punëtorit, edhe të dijshmit, edhe të pasurit, edhe të varfërit, çdo herë. Edhe atyre që kanë luftuar, por edhe atyre që nuk kanë qenë me pushkë në dorë, por që kanë qenë pjesë e përbashkët e lirisë”.

“Por, ju e dini, po ashtu, se unë kam duruar 13 vjet të zitë e ullirit. Kush është çuar i pari ka shkarkuar në mua. Kam vendosur, nuk duroj më. Nuk kam pse të duroj”.

“I kam shërbyer vendit tim, kam duruar gjithnjë dhe kam thënë – hajt se populli e merr vesh. hajt se kalojnë, hajt se ndoshta e bëjnë pa qëllim, por më në fund unë e kam parë që më nuk bën ashtu”.

“Kushdo që e merr lirinë që të përlyejë vlerat e shenjta për të cilat punohet, nuk durojmë asnjëherë më, kurrë. Pse? Për shkak se duke duruar, plot të tjerë i kanë dhënë vetës të drejtë dhe po kujtojnë që kanë të drejtë me i përbaltë. Nuk kanë të drejtë me i përbaltë”.

“Ne ishim në këtë vend kur ka qenë më së vështirë, ne jemi këtu për të mirën e këtij vendi, ne jemi për demokraci. Por, demokracia nuk i jep të drejtën askujt që të fyejë, të shpifë dhe të përbaltë”.

“Kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, gabon rëndë.  Jo vetëm në Pejë, po kudo në Kosovë, kudo që  janë Shqiptarë”.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili është edhe Kryetar i Degës së PDK’së në Pejë,  i pranishëm në përmbylljen e fushatës së AAK’së në Pejë, kërki votën për Ali Berishën.

“Në demokraci fiton pozita për të qeverisur, opozitën ne do t`ia lëmë Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila do të qeverisë përmes kontrollit parlamentar, që do t`ia bëjë mirë qeverisjes së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe gjithë koalicionit me LDD’në”.

Kryetari i partisë tjetër të koalicionit, LDD’së, Nexhat Daci, ka akuzuar Gazmend Muhaxherin, duke thënë se ai si person ka qenë gjithmonë pjesë e proceseve desktruktive.

“Kundërkandidati i Kryetarit tonë gjithmonë ka qenë në procese destruktive, në udhëkryqet më të rëndësishme të historisë së re. Atëherë ishte kundër Presidentit Rugova në 2004 që të zgjedhet President. Sot, miq të mi të dashur, angazhohet kundër shtyllave më të vlefshme të historisë së re, është në shërbim të proceseve destruktive”.

Kandidati i koalicionit AAK-LDD për Kryetar të Pejës, Ali Berisha, arsyetoi pozitën e dytë në zgjedhjet e raundit të parë, duke thënë se këtë ua ka krijuar komoditeti i tepërt.

“Ne me zgjedhjet e 3 nëntorit nuk realizuam atë që ishte mundësi e jona, e neglizhuam procesin, ishim komodë për punën që kishim bërë, por jo gjithmonë puna sjell votë, jo mjaftueshëm, ishim afër jush dhe tani këtë defekt po e eliminojmë”.

“Tani jemi më afër se kurrë me ju të gjithë banorë të Komunës së Pejës”.