Haradinaj mirëpret votimin e Ligjit për zgjedhje: I lumtur që përfaqësuesit e AAK’së dhanë kontribut të jashtëzakonshëm në hartimin dhe arritjen e koncensusit për votimin e tij
Kryetari i AKA-së, Ramush Haradinaj ka mirëpritur votimin e sotëm të Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë. Haradinaj ka shkruar se ky ligj pavarësisht që nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, adreson disa shqetësime serioze ndërkaq e lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik…

Lajme
Kryetari i AKA-së, Ramush Haradinaj ka mirëpritur votimin e sotëm të Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë. Haradinaj ka shkruar se ky ligj pavarësisht që nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, adreson disa shqetësime serioze ndërkaq e lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike si dhe votimin me postë.
Shkrimi i plotë i Haradinajt:
Votimi me koncensus nga të gjitha partitë politike i Ligjit për zgjedhjet nacionale në Kosovë është nje lajm i mrekullueshëm!
Ky ligj nuk paraqet një reformë thelbësore të sistemit zgjedhor, por ka adresuar disa prej shqetësimeve serioze, që kanë qenë brengë jo vetëm e jona por edhe e partnerëve ndërkombëtarë!
Ai e lehtëson në masë të madhe votimin e bashkëkombësve tanë në diasporë, duke e mundësuar votimin fizik në përfaqësi diplomatike si dhe votimin me postë, garanton numërim transparent e të mbikqyrur të votave per kandidatë, shkurton kohën e numërimit për parti politike, heqë heshtjen zgjedhore që ishte shndërruar në kurth për ndëshkimin e subjekteve zgjedhore, inkurajon partitë politike që të kandidojnë më shumë gra, si dhe disa ndryshime të tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në cilësinë e zgjedhjeve në Kosovë!
Po ashtu, jam shumë i lumtur që edhe përfaqësuesit e Aleancës, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, jo vetëm në hartimin e këtij Ligji, por edhe në arritjen e koncensusit politik i cili ka reflektuar edhe në votimin e sotëm në Parlament!