Haradinaj: Mirëpres vendimin për mbajtjen e seancës për shpërbërjen e Kuvendit
Ramush Haradinaj ka mirëpritur vendimin e Kryesisë së Kuvendit për caktimin e seancës për votimin e shpërbërjes së Kuvendit.
Lajme
Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj ka mirëpritur vendimin e Kryesisë së Kuvendit për caktimin e seancës për votimin e shpërbërjes së Kuvendit, raporton lajmi.net.
Ai po ashtu ka falënderuar deputetët që kanë vendosur të votojnë marrëveshjen ndërkombëtare IPA2 me ç’rast Kosova do t’i përfitojë 90 milionë euro.
Ky është postimi i Haradinajt në Facebook:
Vendimi i Kryesisë së Kuvendit për të mbajtur seancë me 22 Gusht 2019, për shpërbërjen e Kuvendit, është veprim i duhur dhe konform ligjeve dhe Kushtetutës së vendit. Ky vendim, do t’i hap rrugë procesit zgjedhor në vend, si opsion i vetëm dhe i domosdoshëm. Po ashtu, është për tu përshëndetur vendimi i kësaj kryesie, që para shpërbërjes, Kuvendi të votojë për Marrëveshjen Ndërkombëtare IPA2, nga e cila Kosova fiton rreth 90 milionë euro fonde nga BE. Kthimi i mandatit te Sovrani dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike, janë jetike për vendin dhe për proceset e rëndësishme që na presin. /Lajmi.net/