Haradinaj: Me urdhër të kujt po i bastisni familjet e grupit të Kumanovës

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka kritikuar institucionet e rendit në vend, lidhur me bastisjet që policia u ka bërë disa familjeve, familjarë të të cilave dyshohet të kenë qenë pjesë e përleshjeve të armatosura në Kumanovë.

Lajme

18/05/2015 13:16

Haradinaj duke folur me nervozizëm dhe ton të lartë i është drejtuar ministrit të Drejtësisë Hajredin Kuçi, të cilin e ka pyetur se si është e mundur që të bastisen familjet e të vrarëve në Kumanovë, kur ende nuk ka asnjë listë zyrtare për ata të vrarë.

“Cili prokuror i jep policisë leje të shkojë e t’i bastisë njerëzit në ora 2 të natës, pa marrë asnjë informacion paraprak. Kush jep kësi urdhra me i terrorizu qytetarët. Ku keni parë kështu, kush jep kësi urdhra. Apo ndoshta po i bëni me urdhër të policisë së Maqedonisë”, ka thënë Haradinaj gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, ministri Kuçi në përgjigjen dhënë deputetit Haradinaj, ka thënë se, fillimisht është mirë të kemi një dije elementare se me cilën ministri ka të bëjë policia e pastaj të flasim.

E sa i përket këtyre bastisjeve, ai ka thënë se, lajmin e ka marrë vesh nga mediat.

Ndryshe, policia është nën përgjegjësinë institucionale të ministrisë së Brendshme, dhe jo të ministrisë së Drejtësisë. (lajmi.net)