Haradinaj kritikon Thaçin e Mustafën, të tjerët s’i nguc

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se e di mirë si është të qeveriset shteti, jo si PDK-ja që ende s’e ka mësuar. Për LDK-në ai thotë se kanë probleme me konceptin e motos së tyre zgjedhore, u sugjeron ta kishin “Ne s’mujtëm”.

Lajme

04/06/2014 19:25

Duke zhvilluar fushatën e tij të mërkurën në qytetin e Pejës, Haradinaj ka kritikuar PDK-në dhe LDK-në, ndërsa për të tjerët tha se “nuk po i nguci”.

Sipas Haradinajt, Thaçi e ka varfëruar dhe lodhur Kosovën, e në veçanti anën e Pejës.

Duke folur në vetën e parë, Haradinaj ka thënë se e di mirë se si qeveriset vendi dhe se si nëpërmjet qeverisjes bëhet shteti e zhvillimi i jetës.

“Atë kohë kur kam qenë në qeverisje e kam dëshmi, se e di çka është qeverisja dhe çka nënkupton dhe e di se si përmes qeverisjes bëhet shteti bëhet zhvillimi e jeta”.

“Zotëri Thaçi dhe ekipi i tij qeverisës edhe mbas shtatë vjetësh nuk e kanë mësuar këtë punë çka është dhe s’kanë mundur që me qeverisje ta ndihmojnë Kosovën. Përkundrazi e kanë varfëruar, i kanë shkaktuar humbje dhe e kanë lodhur Kosovën”.

“Nuk kemi asnjë arsye të ju japim votën më. Mos ua jepni votën më. Mos të provojnë të na mashtrojnë me disa njerëz që i kanë marrë në punë. Pse? Sepse ne nuk e kemi plan ta qesim askënd nga puna”.

“Secili që punon do të vazhdojë të punojë. Ne synojmë të hapim vende të reja të punës, në të gjitha nivelet”.

Nga kritikat e Haradinajt nuk ka shpëtuar as kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Ndërsa me kaq Haradinaj e kishte ndërprerë serinë e kritikave.

“Zotëri Isa Mustafa dhe partia e tij që po thotë “Ne mundemi”, ajo e pat besimin në kryeqytet por nuk mundi”.

“Nuk e marr vesh se si ai mundet. Në fakt, slogan më mirë do t’u shkonte ‘Ne s’mujtëm’”.

“Të tjerët nuk po i nguci”, tha ai.