Haradinaj i thotë ambasadorit gjerman se Kosova është e përkushtuar për dialog me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

Lajme

18/09/2019 16:12

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, ka falënderuar ambasadorin gjerman për përkrahjen që Gjermania i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi, që nga paslufta deri në ditët e sotme në të gjitha fushat, shkruan lajmi.net.

Po ashtu, Haradinaj ka theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së projekteve të të dyja vendeve, veçmas Parkun Inovativ Trajnues në Prizren, projekte në fushën e ekonomisë dhe rritjen e këmbimeve tregtare.

Ndër të tjerash, duke kujtuar zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen më 6 tetor, kryeministri në detyrë, Haradinaj, ka përmendur faktin që Kosova ka treguar nivel të lartë demokratik me procesin e ri zgjedhor dhe faktin që si vend janë të përkushtuar për dialog dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, siç janë të orientuar në rrugën euro-atlantike dhe në partneritet të plotë strategjik me aleatët e Kosovës.

Nga ana e tij, ambasadori gjerman, Christian Heldt, e ka falënderuar kryeministrin në detyrë, Haradinaj, për bashkëpunimin, duke shprehur gatishmërinë që ky partneritet të vazhdojë edhe në të ardhmen. /Lajmi.net/