Haradinaj falënderon qytetarët e Kosovës që strehuan të prekurit nga tërmeti në Shqipëri

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka falënderuar qytetarët që strehuan të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Lajme

05/12/2019 16:38

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur falënderues për të gjithë qytetarët që kanë strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.

Përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, Haradinaj, ka falënderuar secilin qytetarë, përcjell lajmi.net.

“Angazhimi i qytetarëve të Kosovës për t’u dalë në ndihmë dhe për t’i strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, përveç një veprim human, është edhe një dëshmi e bashkë ndjenjës, solidaritetit dhe lidhjes tonë të përhershme. Secilit nga Ju, ju them FALEMINDERIT!”, ka shkruar ndër të tjera Haradinaj.

Postimi i plotë i Haradinajt pa ndërhyrje:

Angazhimi i qytetarëve të Kosovës për t’u dalë në ndihmë dhe për t’i strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, përveç një veprim human, është edhe një dëshmi e bashkë ndjenjës, solidaritetit dhe lidhjes tonë të përhershme.

Secilit nga Ju, ju them FALEMINDERIT!

Krahas obligimeve institucionale që janë kryer me kohë, është për çdo lëvdatë gatishmëria dhe ndihma e shoqatave humanitare, vullnetarëve, organizatave dhe familjeve tona.

Ne kemi arritur në kohë rekorde që të aktivizojmë Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman dhe të gjitha mekanizmat e nevojshëm, për strehimin e të ardhurve nga Shqipëria dhe nga nesër, listës së gjatë të vullnetmirëve, do t’u bashkohet edhe Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, që për disa ditë, bashkë me organizatat e Prizrenit dhe Shoqatën Jetimët e Ballkanit, do të ofrojnë shujta ushqimi për të strehuarit.

Ngjashëm po punojmë edhe me Shoqatën “Nënë Tereza”, për të ndihmuar në evidentimin e të strehuarve dhe ndarjen e ndihmave ushqimore dhe veshmbathje, për bashkëkombësit tanë.

Ndihmat e dërguara në Kazermën e FSK-së në Prizren nga qytetarët tanë, shumë shpejt do të dërgohen në depot e rezervave shtetërore në Shqipëri, në mënyrë institucionale dhe në bashkëveprim me autoritetet e Shqipërisë.

Ishim bashkë në të kaluarën, do të jemi bashkë në çdo rrugëtim që e nderon dhe lartëson kombin shqiptar. /Lajmi.net/