Haradinaj: Është duke u poshtëruar shteti dhe pushteti i Kosovës

Nasim Haradinaj ka reaguar pas aksionit të sotëm në zyrat e organizatës nga EULEX.

Lajme

25/09/2020 12:09

Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj ka reaguar pas aksionit të sotëm në zyrat e organizatës nga EULEX.

Ai nuk gjendet në objekt por është njoftuar në lidhje me bastisjen e sotme, transmeton lajmi.net.

“Aktualisht jam jashtë zyrave, më vjen shumë keq që nuk jam aty. Ne të gjithë sot kemi një mision dhe një detyrë. Jo, nuk jemi paralajmëruar për këtë bastisje, vetëm nga mediat, në telefon nuk përgjigjet askush përveç sekretarit Klinaku i cili më tha se nuk më lejojnë të ngjitem lartë”, deklaroi Haradinaj për TV Dukagjinin.

“Unë e telefonova avokatin Tomë Gashi i cili më konfirmoi se ka hyrë brenda dhe pastaj procedurat e tyre që janë. Bëhet fjalë për një poshtërim të shtetit dhe pushtetit tanë, bëhet fjalë për një urdhër të një prokurori dhe fjalë të Vehbi Kajtazit, të cilin e përgëzoj për suksesin e tij me EULEX-in”, shtoi ai.

“Nuk kam ndonjë konfirmim në lidhje me arrestime ose diçka të tillë, për ato detaje i flet avokati. Ajo që na dobëson si shtet është se në Kosovë kush të dojë sorollatet dhe bën çfarë të dojë. Ne nuk kemi as Kushtetutë, as Parlament, asgjë, por jemi kukulla”, u shpreh Haradinaj. /Lajmi.net/